Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e një shkolle në Kodër-Kamëz, gjë që ka shkaktuar protesta dhe debat, pasi trualli i shpronësuar për godinën, pretendohet edhe nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Pikërisht me rektorin e këtij universiteti Top Show realizoi një intervistë për të marrë versionin e tij të çështjes, vetëm disa orë pasi ky i fundit kishte realizuar edhe një debat publik me kreun e bashkisë.
Veliaj sqaroi në Top Show se prona është privatizuar në 2006-ën, kur në pushtet ishte Partia Demokratike që proteston sot dhe për më tepër, në plan zhvillimin e Tiranës, për të cilin ka punuar edhe Jamarbër Malltezi që proteston sot, kjo zonë është paracaktuar për shkolla.
“Ne besojmë në gjëra të ndryshme, por duhet të flasim me fakte, sepse faktet janë fakte. Mbi faktet e pakundërshtueshme, ne mund të ndahemi në opinione të ndryshme. Nevoja për një shkollë për 2.000 fëmijët e zonës “është e pakundërshtueshme. Kemi shpronësuar një tokë private për shkollën, e cila do të jetë vetëm 600 metra distancë nga e gjithë zona përreth saj për komunitetin. Rektori thotë që ne duhet ta zhvendosim. Por është nonsens të zhvendosim një projekt për 100 metra. Ai ka vërtet masterplan të miratuar nga KKT, por kjo nuk është as leje zhvillimore, as leje ndërtimi. Debatet i pranoj, sepse kur kalova sheshin Skënderbej apo Pazarin e ri, kjo është diçka shumë e vogël. Sipas procedurave të Bashkisë së Tiranës, ne kemi gjetur pronën private të një shtetasi, buzë rrugës. Kemi hetuar si e kanë marrë këta tokën me kthimin dhe kompensimin e pronave në vitin 2006, nën drejtimin e demokratëve të Sali Berishës. Meqë këta ia kanë kaluar pronarit tokën, ne kemi dëmshpërblyer pronarët sepse atë tokë e shohim të arsyeshme për ndërtimin e shkollës”, tha Veliaj.
“Gjyqi mes UBT-së dhe pronarit të tokës është formal, sepse universiteti e ka hedhur disa herë në gjyq atë, ndërkohë që juristi i universitetit nuk shkon asnjëherë në gjyq. Janë sipërmarrës dhe ish-deputetë të PD-së që fshihen pas këtij konflikti”, tha Veliaj, pa zbuluar emra gjithsesi.
Top Channel