Pasuritë e politikës “online”. Projekti për transparencën e atyre që na qeverisin

08/04/2019 15:09

Inspektorati i Lartë i Deklarimit të pasurive nis pëpjekjet që mbi 3000 zyrtarë që deri më sot deklarimet i kanë dorëzuar dorazi t’i bëjnë ato “online”, kjo një kërkesë e kahershme e BE-së.

Deri në janar 2020, kur ky sistem pritet të jetë 100% funksional, deklarimet do të vijojnë të bëhen në të njëjtën formë si deri më sot. Këtë hap, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca e quajti si një ditë të mirë për Shqipërinë që e merr seriozisht luftën ndaj korrupsionit.

Ambasadori Soreca u pyet për mesazhet që i përcolli liderëve të politikës shqiptare shefja e minisionit të ONM-së, zonja Calavera: “Gjatë vizitës së zonjës Calavera patëm takime të frytshme. Kur u takuam me qeverinë dhe mazhorancën ne e ftuam atë të bisedojë me opozitën për Reformën Zgjedhore. E ftuam qeverinë të krijojë dialog me opozitën, gjithashtu që të merren masa në ato fusha që janë në kompetencë të tyre, pra për të parë dhe të ishim të qartë që nuk kishte nevojë për disa ndryshime legjislative. Kjo do të thotë që Reforma Zgjedhore natyrisht mund të kryhet me anën e ndryshimeve legjislative, megjithatë mund të bëhet edhe me disa hapa apo veprime nga qeveria. Ne e kemi ftuar qeverinë si për shembull për të luftuar shitblerjen e votës. Ka disa gjëra që mund të bëhen nga qeveria në këtë fushë që në fakt opozita i ka kërkuar. Kjo ka të bëjë edhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR që mund të kërkojnë ndryshime legjislative ndërsa disa të tjera veprim nga qeveria”.

Ambasadori Soreca mendon se ka hapësira për kompromis, paçka se opozita dhe mazhoranca janë pozicionuar në kahe ekstremisht të kundërta: “Ne kemi qenë të parët që nga shkurti 2016 të bëjmë ftesë për dialog. Është koha për kompromis, që do të thotë se opozita dhe qeveria të takohen në mesin e urës”.

Po nëse mungon ura?

Unë mendoj se ura ekziston, thjesht duhet gjetur.

Top Channel e pyeti kreun e delegacionit të BE-së nëse ai ishte i kënaqur me shpejtësinë e procesit të vetting-ut.

“Po, unë jam i kënaqur me shpejtësinë. Vetting-u duhet të jetë një kombinim mes shpejtësisë dhe cilësisë. Nuk duhet të harrojmë se këtu bëhet fjalë për të drejtat e njeriut të qytetarëve shqiptarë, të atyre magjistratëve që po e kalojnë këtë proces. Edhe kjo është e rëndësishme. Tashmë janë marrë 120 vendime dhe presim vendime të tjera me një drejtëpeshim mes shpejtësisë dhe cilësisë”, deklaroi Soreca.

Top Channel