Bulgaria ka shtuar patrullimet në kufi pas lajmeve se qindra emigrantë janë përpjekur të kalojnë nga Greqia në Maqedoninë Veriore, për të vazhduar më pas rrugën e tyre ballkanike drejt Shteteve të Europës Perëndimore, ku synojnë të kërkojnë azil.

Ministri i Brendshëm bullgar, Mladen Marinov i tha Asamblesë Kombëtare se është gati ta implementojë planin e menaxhimit të krizës nëse situata përkeqësohet.
Emigrantët, që janë kryesisht nga Lindja e Mesme, u mblodhën në kampin e Dhiavatas në afërsi të Selanikut, pas thashethemeve të përhapura përmes mediave sociale, sipas të cilave, kufiri ishte hapur dhe do të mund të kalonin lirisht.

Një numër i madh policësh grekë i penguan në marshimin e tyre, por në ditën e tretë të grumbullimit, emigrantët e shprehën hapur, se duan të marshojnë 60 kilometra në drejtim të Maqedonisë së Veriut për të ndjekur itinerarin e vjetër, duke risjellë në kujtesë ngërçin e vitit 2015. Tensionet nuk vonuan të shpërthenin.

UNHCR ka paralajmëruar që të mos besohen zërat e përhapur dhe u kërkoi emigrantëve të kthehen në kampet e tyre, ndërsa autobusët për këtë janë gati. Edhe ministria greke bëri të qartë se kufi të hapur nuk ka. Ka më shumë se 70.000 emigrantë në Greqi, të bllokuar atje që prej vitit 2016 dhe presioni mbi vendin helen sa vjen e rritet.

Në kufirin turko-bullgar ndërkohë ka pasur një ulje të trysnisë së emigrantëve, si pasoj e kontrolleve të intensifikuara si dhe marrëveshjes BE-Turqi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA