Një ditë më parë nisi të lëshonte një furi mesazhesh kritikuese në “Twitter”, e kaq mjaftoi që të shtoheshin thashethemet se me kë e kishte Zayn Malik, ish-këngëtar i grupit “One Direction”.
26-vjeçari pretendonte në statuset e tij se “ata nuk rezultuan të ishin personi që kishin deklaruar një ditë më parë”. E duke ditur se prej javësh përflitet ndarja e tij nga supermodelja Gigi Hadid, të gjithë menduan se ishte pikërisht ajo, personi të cilit i drejtoheshin mesazhet.
Por, ka qenë vet Malik, i cili ka pranuar se “cicërimat” nuk i referoheshin Gigi Hadid, madje shtoi më tej se 23-vjeçarja, me të cilën ka pasur një lidhje, ka qenë femra “më e mrekullueshme që ka njohur ndonjëherë”.
“Për të gjithë ata dashakeqës që duan të krijojnë historitë e tyre nga hiçi. Mesazhet e mia nuk ishin për Gigi Hadid, kështu që lereni të qetë atë. Ajo është gruaja më e mrekullueshme që kam njohur ndonjëherë. Thjesht më ka dashur dhe më ka mbështetur, atëherë kur Zoti e di që unë s’e kam merituar. Nëse nuk keni gjë të sigurtë për të thënë, atëherë mbylleni gojën”, shkroi ai në një seri postimesh.
Pati madje nga ata që vunë në dyshim gjendjen psikologjike të Malik, por ky i fundit iu përgjigj edhe këtyre duke thënë se “aktualisht është i gëzuar”, por rrëfeu se “mundet të jetë edhe më i lumtur”.
Top Channel