Diferenca në normën e tatimfitimit, mes kompanive koncesionare që shfrytëzojnë naftën e Shqipërisë dhe nënkontraktorëve të tyre, ka krijuar një valvul përmes së cilës buxhetit mund t’i jenë shmangur dhjetëra milionë dollarë taksa.
Skema është e thjeshtë. Kompanitë koncesionare që nxjerrin naftë e kanë tatimfitimin 50 për qind, por nënkontraktorët që ato pajtojnë për të bërë investimet, apo operacionet e përditshme, paguajnë vetëm 15 për qind.
Top Channel analizoi bilancet e nënkontraktorëve kryesorë, të cilët kanë punuar ekskluzivisht vetëm për kompaninë “Bankers Petroleum” për periudhën 2010-2017. Sipas të dhënave të dorëzuara në QKB, në 8 vitet e fundit “Bankers” ka prokuruar vetëm përmes këtyre 5 kompanive mbi 612 milionë dollarë kontrata.
Në vend të parë renditet “Simmons”, një kompani kanadeze, e cila ka marrë nga “Bankers” për periudhën 2010-2017 mbi 302 milionë dollarë kontrata. Në vendin e dytë është “Feniks”, e cila ka marrë 136 milionë dollarë, e më pas “Crosco” me 128 milionë dollarë. Dy kompani të tjera “Smape” dhe Q. Sinaj” kanë marrë respektivisht 26 dhe 20 milionë dollarë.
Këto janë vetëm 5 nga nënkontraktorët, por “Bankers” ka punuar edhe më shumë të tjera, si “Albastar”, “Bolvoil” apo “Western Atlas”, por meqenëse këto kompani kanë edhe aktivitete të tjera, shuma e kontratave që ato kanë përfituar nga “Bankers” nuk mund të përcaktohet.
Të dhënat tregojnë se, ndërsa vet “Bankers” raportonte humbje duke mos paguar tatimfitimin 50 për qind, nënkontraktorët e saj kanë realizuar norma të jashtëzakonshme fitimi, me mesatare mbi 26 për qind.
Dyshimet se “Bankers” ka përdorur nënkontraktorët për të shmangur taksat kulmuan në vitin 2015, kur Agjencia e Burimeve Natyrore deklaroi se, shumë nga kostot e nënkontraktorëve ishin të pajustifikuara. Për të zgjidhur përplasjen mes shtetit shqiptar dhe “Bankers” u pajtua një ekspert i pavarur ndërkombëtar.
Përmes dy raporteve, paneli i ekspertëve të pavarur konkludoi në disa raste se, “Bankers” ka kryer shkelje në procedurat e tenderimit. Por, në fund, kompania fitoi të drejtë për shkak se ekspetët nuk morën prova të mjaftueshme nga pala shqiptare, që të tregonin se këto prokurime të dyshimta kanë shkaktuar dëm financiar.
Pak ditë më parë, Ministria e Financave hodhi për konsultim një projektligj, i cili do t’i taksojë edhe nënkontraktorët e kompanive koncesionare të naftës me 50 për qind, përmes të cilit qeveria shpreson të mbyllë shtegun e shmangies së taksave që qytetarët duhet të përfitonin nga shfrytëzimi i pasurive kombëtare.
Top Channel