
Qeveria e Kosovës i konsideron “të pavërteta dhe të pabazuara” përfundimet e raportit të publikuar të martën nga Banka Botërore, në të cilin thuhej se vetëm vitin e kaluar, tregu i punës u tkurr me 17 mijë vende.
Në reagimin e Qeverisë nënvizohet se, “të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Banka Qendrore e Kosovës (BQK), por edhe raporti financiar për shpenzimet e buxhetit për vitin 2018 lidhur me zhvillimet makroekonomike në Kosovë, paraqesin nje tablo krejt të ndryshme nga ajo e Bankës Botërore”.
Madje, sipas ekzekutivit kosovar, shkalla e papunësisë është zvogëluar 1% në krahasim me vitin 2017.
“Raporti në fjalë nuk e qartëson se cilat janë kriteret dhe cila është metodologjia e përdorur për hartimin e tij, apo për konstatimin përfundimtar se janë humbur 17 mijë vende pune. Ne si Qeveri kemi kërkuar menjëherë informacione të sakta, se cili është burimi dhe cilat janë metodat e punës në mbledhjen dhe paraqitjen e këtyre shifrave”, vazhdon deklarata.
Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, papunësia në Kosovë llogaritet të jetë 30 për qind.
Top Channel