“Mirëserdhe shoku im!” Me këto fjalë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev priti homologun e tij grek Aleksis Tsipras sapo ai zbriti nga makina në oborrin e qeverisë. Dhe si shenjë afërsie, Zaev realizoi edhe një selfie me Tsipras.
Zaev e cilësoi vizitën e kryeministrit grek si historie, pasi po shërbente për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt për qytetarët e të dyja vendeve, ndërsa theksoi edhe njëherë se ishin vendimet e guximshme të të dy liderëve, që bënë realitet marrëveshjen e Prespës.
“Me këtë vizitë ne po ndërtojmë një Ballkan të ri. Fryma e miqësisë është në mesin tonë. Marrëveshjen e arritur me Greqinë ia dedikojmë gjeneratave të reja. Vetëm në muajt e parë të nënshkrimit të marrëveshjes kemi ritje reale të ekonomisë në këmbim me Greqinë”, u shpreh Zaev.
Ndërsa kryeministri grek tha se vizita e tij në Shkup është një hap historik, jo vetëm për rajonin por edhe për Evropën.
“Ne po ndërtojmë ura në vend të mureve. Kemi humbur shumë kohë në të kaluarën, ndaj tani duhet të vrapojmë për të arritur rezultate për qytetarët e të dyja vendeve. Greqia do ta përkrahë Maqedoninë e Veriut në procesin e reformave që ajo të jetë sa ma afër me familjen e Bashkimit Evropian. Ne jemi këtu si shokë dhe nuk do të mungojë ndihma e jonë”, tha Tsipras.
Në Shkup, të dy kryeministrat nënshkruan mbi 30 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, duke filluar nga ekonomia, mbrojta, energjetika dhe kultura.
Është mbajtur po ashtu edhe forumi i biznesit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të më shumë se 100 kompanive të mëdha dhe të mesme greke, të interesuara për investime në Maqedoninë e Veriut.
Përveçse me Zoran Zaev, Tsipras është takuar edhe me kryetarin e kuvendit, Talat Xhaferri, por në agjendë nuk ishte përfshirë një takim me presidentin Ivanov, që kundërshton marrëveshjen për emrin.
Top Channel