Banka Botërore tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2019 pritet të rritet me 4.4 për qind, e nxitur kryesisht nga investimet publike dhe private.

Ky përfundim është pjesë e një raporti mbi Evropën Juglindore, ku bëhet thirrje për përshpejtim të reformave në mënyrë që rritja aktuale të krijojë më shumë vende pune.

Sipas raportit, investimet kapitale pritet ta mbajnë rritjen ekonomike në Kosovë gjatë këtij viti. Por, sfidë mbetet hyrja e madhe e të rinjve në tregun e punës dhe shpenzimet e larta publike, që nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur sa duhet papunësinë e lartë kronike.

Marco Mantovanelli, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, tha se me gjithë rritjen e lartë ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës është ngadalësuar dhe kjo sipas tij, po ndodh në tërë rajonin.

“Prandaj rritja ekonomike nuk po krijon vende të mjaftueshme pune dhe ne e dimë se ky rajon dhe Kosova posaçërisht kanë nevojë për rritje ekonomike që krijon vende të punës”, tha Mantovanelli.

Ai tha se mënyra e shpërndarjes së buxhetit mbetet një nga problemet kryesore të brendshme të Kosovës.

“E shohim shqetësues buxhetin e shtetit për mënyrën se si po ndahet”, theksoi ai.

Raporti nxjerr në pah edhe rreziqet fiskale që dalin nga ligji i ri për pagat publike që u miratua nga parlamenti i Kosovës në fund të muajit shkurt, i cili sipas raportit mund të përkeqësojë politikat fiskale të Kosovës.

Banka Botërore u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të zvogëlojnë rreziqet e mundshme nga paqëndrueshmëria ekonomike botërore pas përplasjeve ndërmjet vendeve kryesore në çështjet e tregtisë.

Top Channel