Me moton “Rezisto”, në Podgoricë u mbajt një tjetër protestë e organizuar nga qytetarë dhe shoqëria civile. Kjo është java e shtatë që në kryeqytetin e Malit të Zi zhvillohen tubime të tilla.
Protestat, sipas organizatorëve janë një reagim ndaj disa aferave korruptive në Mal të Zi, ndërkohë që partia në pushtet i komenton si organizime me prapavijë politike, që synojnë marrjen e pushtetit pa zgjedhje.
Një prej organizatorëve të protestës, Xhemal Peroviç tha për “Zërin e Amerikës” se bëhet fjalë për skandale mbi të cilat janë dhënë prova.
Pjesëmarrja konsiderohet si inkurajuese nga organizatorët, që mendojnë se ajo dëshmon qartë nivelin e mbështetjes për nismën e tyre.
Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, nga ana tjetër konsideron se kërkesat e protestuesve për një qeveri të përkohshme nuk bazohen në një demokraci të mirëfilltë.
“Karakteristika e një shoqërie demokratike, – nënvizon ai, – është zgjedhja e pushtetit përmes votës”.
“Ne përpara pak kohësh i patëm zgjedhjet parlamentare e ato presidenciale, dhe rezultatet ishin të tilla – theksoi Gjukanoviç, – që nuk patën nevojë as për një raund të dytë”.
Top Channel