Një videoklip i ri i grupit “Rammstein” ka ngjallur polemika të mëdha në Gjermani. Veç skenave të tjera, këngëtarët pozojnë si të burgosur kampesh përqëndrimi në këtë videoklip.
“Inskenimi si të burgosur kampesh përqëndrimi shkel vijën e kuqe”, thotë për gazetën gjermane “Bild”, i ngarkuari i Qeverisë gjermane për antisemitizmin, Felix Klein.
Nëse kjo është bërë thjesht për të promovuar videon, atëherë kemi të bëjmë me një “përdorim pa shije të lirisë artistike”.
Videoklipi ka zemëruar jo pak edhe të mbijetuarit e holokaustit.
Sidoqoftë, ka edhe nga ata që mendojnë se nuk duhet nxituar me dënimin e grupit të “rock”-erëve dhe se duhet sqaruar çfarë kanë dashur ata të thonë me klipin e tyre.
“Rammstein”, në fakt provokon herë pas here. Albumet e grupit, që trajtojnë tema si sadomazokizmi, homoseksualizmi, inçesti, abuzimi, nekrofilia, piromania, kanibalizmi dhe dhuna seksuale, janë bërë shpesh temë polemikash.
Madje, për shkak të glorifikimit të sadomazokizmit, albumi “Liebe ist fuer alle da” (Dashuria është për të gjithë), në vitin 2009 u ndalua nga Enti Federal i Medias në Gjermani, duke u konsideruar i dëmshëm për të rinjtë dhe u hoq nga qarkullimi.
Top Channel