Votohet heqja e vizave për Kosovën. Sërish nismëtare është eurodeputetja Tanja Fajon

28/03/2019 14:40

Parlamenti Evropian votoi për vazhdimin e mandatit te liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Parlamenti e miratoi iniciativën e Tanja Fajon, eurodeputete dhe raportuese për liberalizimin e vizave me Kosovën me 331 vota pro dhe 126 kundër. Ky votim, sipas ekspertëve, nënkupton edhe vazhdimin e mbështetjes së euruparlamentarëve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pra ai do të jetë i vlefshëm edhe në përbërjen e ardhshme të Parlamentit, pas zgjedhjeve që do mbahen në muajin maj.

Parlamenti Evropian e ka votuar me heret një rezolutë që kërkonte nga vendet e BE-së heqjen e regjimit të vizave për kosovarët sipas rekomandimit të Komisionit Evropian. Por ajo rezolutë nuk i bindi disa ministra të Brendshëm të vendeve anetare te bllokut. Tani i takon Këshillit Europian të bëjë punën e tij, shkroi Fajon në Twitter.

Shumica votoi në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. “I bëjmë thirrje Këshillit të veprojë tani”, këmbënguli ajo. Në sallë pati debate e dallimet mbi këtë çështje ishin të qarta. Fajon insistoi të tregonte se BE-ja ka dështuar të realizojë premtimet e saj ndaj Kosovës.

Pas votimit reagoi Ramush Haradinaj, që në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës i bëri thirrje anëtarëve të bllokut t’i japin drejtim kësaj çështjeje ndërsa lëvizjen e lirë e konsideron si të drejtë të fituar dhe të pakontestueshme, tani kur mbushen 7 vjet nga dita e dorëzimit të udhërrëfyesit për vizat.

Top Channel