Athina i përgjigjet Ankarasë me një notë të ashpër zyrtare duke dënuar incidentin e djeshëm të shkaktuar nga forcat ushtarake turke.
Në ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Greqisë nga Perandoria Otomane, dy avionë ushtarakë turq kanë detyruar helikopterin e kryeministrit Alexis Tsipras, që vizitonte ishullin Agathonisi të Egjeut, të ndryshonte planin e fluturimit, derisa kanë ardhur në ndihmë avionët grekë.
“Duam dialog dhe mirëkuptim, por nëse duhet, do të bëjmë atë që duhet, atë që ndërgjegjja jonë prej vitesh e di, atë që na kanë mësuar të parët tanë që të mbrojmë të drejtën dhe sovranitetin tonë”, ka deklaruar më pas Alexis Tsipras në adresë të Turqisë.
“Duhet të dini se këto veprime pamend nuk kanë ndonjë kuptim. Më kot shpërdoroni kirozinën dhe benzinën është mesazhi që ju çoj”, shtoi kryeministri grek.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes greke, avionët turq kanë kryer ditën e festës kombëtare të Greqisë edhe 47 shkelje të hapësirës greke ajore. Ka të paktën një javë që Turqia e cila ndodhet në prag të zgjedhjeve lokale ka rritur tensionin politik në lidhje me fqinjin e saj, duke vënë në dyshim ZEE në Egje apo Mesdheun Lindor në fjalimet elektorale të ministrave apo të vetë Presidentit Erdogan.
Ky i fundit madje, në një prej fjalimeve të tij ka shprehur dhe dëshirën që të kthejë Shën Sofinë në xhami duke ngjallur reagime jo vetëm në Greqi, por në gjithë komunitetin ortodoks ndërkombëtar.
Qëndrimi i ashpër i Ankarasë është përshkallëzuar, sidomos pas Samitit të lartë trepalësh Greqi-Qipro-Izrael, javën e kaluar, në të cilin mori pjesë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, një fakt që konfirmoi mbështetjen e SHBA-së për bashkëpunimin e tre vendeve dhe rolin e tyre për sigurinë dhe zhvillimet në fushën e energjisë në Mesdheun Lindor.
Top Channel