Sot në Top Talk u fol për nismën e fundit të qeverisë për të krijuar një Korporatë Shtetërore që do të realizojë investime publike. Në studion ka qenë eksperti i ekonomisë, njëherësh edhe President i UET, Adrian Civici, i cili radhiti risqet dhe avantazhet e Korporatës së re shtetërore.
“Dy rrugë ekzistojnë, ose do të shkonim deri në fund me privatizimin e pronave publike, ose duhej gjetur një formë që këto prona, shpesh herë të braktisura, të vihen nën ombrellën e një korporate shtetërore që është përgjegjëse për to”, tha Civici.
Më tej ai shpjegon se në këtë formë siç po e përdor Shqipëria nuk ka parë rast të ngjashme, por ky menaxhim ka ngjashmëri me Bankën Kombëtare të Zhvillimit, siç ka në Rusi apo edhe në Kinë. “Por në këto vende janë tipikisht fonde kryesore investime që punojmë në sferën financiare. Rasti jonë në këtë formë ngjan me rast me të Afrikës së Jugut”, tha ai.
Më tej eksperti i ekonomisë thotë se kjo korporatë ka edhe risqe.
“Së pari është risku i shtimit të borxhit publik. Duke qenë një Korporatë shtetërore, ajo ka të drejtën që të kërkojë edhe kredi. Është menduar edhe një strukturë kontrolluese dhe raportuese, por nuk shkohet deri në miratimin nga parlamenti për këtë gjë. Kredi që ajo do të marrë do të ndikojë tek borxhi i madh publik. Nga ana tjetër është edhe procesi i përcaktimit të saktë se çfarë është pronë shtetërore dhe pronë publike. Çfarë është e lirë dhe çfarë është në përdorim ose në pronësi të dikujt që e ka përvetësuar qoftë edhe në mënyrë të parregullt”, tha Civici.
Top Channel