Kosova jashtë agjendës së KiE/ Anëtarësimi mungon në axhendë, kushti për qeverinë Kurti mbetet Asociacioni Presidenti serb Alexandar Vuçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç folën të enjten përmes deklaratave të ndara për një nismë të Francës dhe Gjermanisë, e cila mund të zhbllokojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Asnjëri prej tyre, megjithatë, nuk dha detaje të hollësishme se për çfarë bëhet fjalë konkretisht. Komentet e tij, Vuçiç i bëri gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “Reuters”, ku rrëfeu se pret një aktivizim më të madh të Parisit dhe Berlinit në procesin e negociatave.
“Mendoj se disa nga nismat e tyre do t’i shohim në një të ardhme të afërt”, është shprehur presidenti serb.
Vetëm pak orë më vonë, idenë e tij e përforcoi edhe Brnabiç, e cila tha se nismat do të lidhen edhe me taksën e vendosur produkteve serbe nga qeveria kosovare.
“Heqja e tarifës nga ana e Prishtinës nuk përvijohet as për së largu në horizont, por mund ta them se nisma franceze dhe gjermane lidhet me heqjen e saj, sepse ne e kemi bërë të qartë se, pa rrëzimin e saj nuk e vazhdojmë dialogun”, ka thënë shefja e ekzekutivit serb.
Bashkimi Europian ka bërë vazhdimisht thirrje për heqjen e taksës dhe në një linjë me të janë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se kjo tarifë nuk është në përputhje me interesat amerikane.
Top Channel