Një granatë ka shpërthyer mëngjesin e së premtes në oborrin e konsullatës ruse në Athinë.
Sipas policisë greke nga kamerat e sigurisë janë parë dy persona me një motoçikletë që kanë kaluar pranë ndërtesës dhe kanë hedhur granatën nga shpërthimi i së cilës nuk ka pasur të lënduar dhe as dëme materiale.
Për ngjarjen në fjalë kanë filluar hetimet nga shërbimi antiterrorist i vendit. Paralelisht po hetohet nëse ka lidhje me gjetjen e një motoçiklete të djegur në një lagje tjetër të kryeqytetit grek.
Theksohet se akti i sotëm ka ngjashmëri me atë të nëntorit të vitit 2016 në konsullatën franceze në një prej bulevardeve qendror të Athinës, ku persona të panjohur, pjesëtarë të grupit ekstremist të majtë “ Vetëmbrojtja revolucionare” hodhën një granatë tek postblloku i ndërtesës duke plagosur një oficer policie. Ndërsa për sulmin e sotëm në konsullatën ruse nuk ka asnjë marrje përgjegjësie.
Ministria e Jashtme greke, në një deklaratë të fundit, ka dënuar këtë akt, duke theksuar se veprime të tilla nuk ndikojnë në marrëdhëniet miqësore prej dhjetëra dekadash si dhe bashkëpunimin me Rusinë.
Autoritetet kompetente greke po ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për të hetuar incidentin dhe për t’i sjellë autorët para drejtësisë, thekson deklarata.
Top Channel