Libri më i ri i prof. Shaban Sinanit për “Antropologjinë” është shkruar përgjatë më shumë se tri dekadash.
Edhe pse nuk ka tiparet e një manuali me shpjegime elementare për problematikën e gjerë të antropologjisë, studimet e thelluara që përfshihen këtu, bazuar në këndvështrimin e ri që mori kjo shkencë pas Luftës së Dytë Botërore, do të shërbejë për të gjithë ata që duan të formohen e të vetëformohen në këtë fushë të dijes.
Sipas autorit, gjithçka që përbën trashëgimi shpirtërore të një populli, etnike apo e fituar prej të tjerësh, është objekt dhe interes i antropologjisë kulturore, duke filluar prej totemive e tabuve, miteve e riteve, deri te prindërimi.
Pjesë e parë e këtij libri me titull “Antropologji e identitetit” nis serinë prej pesë vëllimesh që do të publikohen njëri pas tjetrit nga botimet “Naimi” nën titujt “Antropologji e identitetit” (pjesa e parë), “Antropologji e religjionit” (pjesa e dytë), “Antropologji etnojuridike” (pjesa e tretë), “Antropologji e kulturës dhe letërsisë” (pjesa e katërt), “Antropologji e etnosit” (pjesa e pestë). Lexuesi do të gjejë këtu studime për antropologjinë e besimit (duke përfshirë shtresimet para-biblike dhe historinë e Shkrimeve të Shenjta); për antropologjinë e miteve dhe riteve e ritualeve (kryesisht në vështrim krahasues me mitet e lashtësisë antike europiane, të kulturave imperiale e të atyre liturgjike, si dhe me traditat e popujve fqinjë); për antropologjinë e etnosit (duke përfshirë dukuritë etnodalluese të fiksuara nga historia, çështje të etnotipit, arkeotipeve dhe stereotipeve; po aq sa dhe antropologjinë e tjetrit brenda nesh); për antropologjinë e identitetit (duke përfshirë faktorët homogjenizues dhe heterogjenizues të bashkësisë); për antropologjinë e së drejtës (me objekt themelor statutet dhe kanunet, rendet shoqërorë, për antropologjinë e kulturës (duke përfshirë antropogjuhësinë, antropoletërsinë dhe antropoflorën).
Skeda e librit:
Autori: Shaban Sinani
Titulli: Antropologji e identitetit
-Studime në antropologji kulturore (Pjesa e parë)-
Recensues: Matteo Mandalà
Redaktor: Naim Zoto
Top Channel