“Kanabisi më ka bërë një nënë më të mirë”, thotë Kerine Cyr. Mamaja e dy fëmijëve është drejtuesja e një grupi nënash kanadeze që sfidojnë normat, e refuzojnë stigmat rreth prindërimit dhe marijuanës, duke dalë hapur pro saj që kur Ottaëa legalizoi përdorimin në muajin tetor.

“Jemi lodhur nga fakti që duhet ta fshehim atë që bëjmë prej familjes, fqinjëve e të tjerëve”, thotë ajo.

“Njerëzit nuk janë të informuar siç duhet. Ata ende mendojnë se ne, kur përdorim kanabis, ulemi përpara televizorit e hamë pica si adoleshentët. Unë kur konsumoj marijuanë pastroj shtëpinë, luaj me fëmijët, madje mund të them se jam më e duruar me ta, më e pranishme. Mua personalisht më ndihmon që të jem një nënë më e mirë”, tha Kerine Cyr.

Mjekët nuk janë dakord me këtë. Megjithatë, mesazhi i Kerine ka gjetur mbështetjen e qindra pjesëtarëve të grupit të krijuar prej saj në Facebook, “lule e dashur”, me qëllimin të ndanin eksperiencat dhe mendimet mbi kanabisin. Grupit i janë bashkuar sipërmarrëse, psikologe, modele, fotografe, etj..

“Unë duhet të kem një punë me orar të plotë, të jem nënë me kohë të plotë, të kem një shtëpi të pastër, të paguaj faturat…epo të gjitha këto pritshmëri janë shumë për një njeri. Kanabisi më ndihmon që t’i realizoj më mirë detyrat e mia gjatë ditës”, tha Jordana Zabitsky.

Disa nga gratë pretendojnë madje se, marijuana në doza të vogla mund të përdoret edhe gjatë shtatzënisë, por mjekët e hedhin poshtë me forcë një gjë të tillë, e argumentojnë se në këtë rast, substanca psikoaktive THC do të kalonte placentën e foshnja do të merrte 10 apo 30% të dozës së konsumuar nga nëna.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA