Dhuna në stadiume ishte sot objekt i një tryeze të gjerë, të organizuar nga FSHF-ja, me praninë e grupeve të interesit dhe qeverisë. Shkak për këtë tryezë u bë dhuna ndaj arbitrit në ndeshjen Kamza-Laçi, si dhe vendimi i Kolegjit të Arbitrave për të pezulluar praninë në garat sportive deri në garantimin e sigurisë së tyre. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ishte këtë të hënë i ftuar në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, për të folur në lidhje më këtë problematikë.

“Mendoj që ishte një tavolinë tejet e mirë, madje e vonuar. Mund të ishte mbajtur edhe më herët për të gjitha nevojat që ka futbolli. Shkak ishte fenomeni negativ i dhunës që ndodhi në ndeshjen e Kategorisë Superiore, në Kamëz, por arsyet ishin shumë më shumë se kaq për të ndryshuar futbollin, për të pasur një futboll ndryshe”, tha në fillim Duka, i cili shprehu kënaqësinë me pjesëmarrjen e gjerë në këtë nismë, por duke e cilësuar këtë hap vetëm fillimin, apo duke i quajtur ato çfarë u thanë vetëm premtime.

Një ndër kërkesat e kreut të Federatës në tryezë ishte prania e Policisë së Shtetit në fushat e blerta, por ministri i Brendshëm ishte shprehur se diçka e tillë aktualisht është e pamundur, pa u ndryshuar ligji që do të bënte të mundur pranishmërinë e forcave të rendit në një ndeshje sportive. Sigurisht, një tjetër kërkesë e ministrit të Brendshëm ishte edhe nevoja e një mbështetjeje financiare për forcat policore. Por, kush do ta paguajë faturën e pranisë së policisë nëpër stadiume?

“Faturën e paguajnë taksapaguesit shqiptarë dhe njerëzit e futbollit janë njerëz si gjithë të tjerët. Policia e ka për detyrë ruajtjen e rendit në çdo lloj aktiviteti, pavarësisht mënyrave sesi. Kjo është detyrë funksionale e saj. Në futboll, jo gjithmonë policia nuk ka qenë e pranishme në stadiume. Në mënyrë selektive, policia ka qenë aty. Por ne po kërkojmë që tani e tutje policia të jetë aty bashkë me Federatën për organizimin e aktiviteteve sportive. Jemi dakord me atë që duhet të ndryshojë për të bërë të mundur kthimin e policisë në stadiume, por aktualisht është e pamundur të kemi një aktivitet normal pa praninë e forcave të rendit”, deklaroi më tej Duka.

Por a i ka kapacitetet e nevojshme policia të garantojë rendin dhe sigurinë në stadiume?

“Nuk besoj se iu mungojnë, sepse me praninë e policisë i kemi bërë historikisht”, tha Duka.

Në tryezë është folur për rregullime ligjore. Ligji për Sportin u tha se kishte mangësi…

“Nuk është ligji për sportin çështja kryesore që do të ndryshojë futbollin tonë në tërësi. Ajo që është kryesore dhe për të cilën u diskutua sot në tryezë është një paketë e plotë ligjore, përfshi këtu incentivat që t’i bëjmë njerëzit të jenë të interesuar për të investuar në futboll, taksat që paguajnë, formalizimi i klubeve profesioniste. Të gjitha këto janë më shumë të rëndësishme sesa ligji për sportin”, tha Duka.

Kryeministri Rama foli për një reformë që përfshin një plan 100-ditor për përgatitjen e projektligjeve të nevojshme, të cilat më pas do të duan kohën e duhur për t’i miratuar edhe në Parlament, për të qenë gjithçka gati për edicionin e ardhshëm.

Edhe pse gazetari Denis Dyrnjaja i tha kreut të FSHF-së se janë e vetmja Federatë në Ballkan që nuk merr të ardhura nga shteti, Armand Duka tha se është e vërtetë që FSHF-ja merr zero buxhet nga shteti, por këtë ndihmë as që e pretendojnë.

“Ne nuk jemi me parimin që buxheti i shtetit të derdhë parà për futbollin, por ajo që duhet të bëjë shteti, Parlamenti, apo politika, është të ofrojnë incentiva të tilla që të bëjnë të mundur funksionimin normal të kësaj industrie tashmë. Siç prodhon politika për turizmin apo bujqësinë, të ketë edhe politika për futbollin, në mënyrë që vet ky i fundit të jetë një industri fizibël”, deklaroi Duka.

Pyetjes se përse futbolli ynë ka dhunë, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit iu përgjigj me një analizë të thjeshtë.

“Futbolli është një garë, jo edhe aq e lehtë. Emocionet nuk përmbahen lehtësisht. Kështu që nëse nuk veprojnë ligjet, çdo njeri i shfryn dufet e veta sipas nivelit apo mënyrës së tij. E vetmja gjë që bën të tjerët të frenojnë emocionet është ligji dhe zbatimi i tij. Nëse as ligjet aktuale që kemi nuk zbatohen, çfarë duhet të presim? Siç edhe diskutuam në tryezë, ligjet duhen shtrënguar edhe më shumë. Askush nuk ka penguar askënd që të zbatojë ligjet aktuale që nga ndeshja e parë e kampionatit, Skënderbeu-Partizani, kur njerëzit hynë në fushë dhe askush nuk u penalizua apo u dënua qoftë edhe me një gjobë. Vazhdojmë me ndeshjen Partizani-Flamurtari, ku u dhunua fotoreporteri, me agresorët që ishin të gjithë të filmuar dhe nuk u mor asnjë masë. JO vetëm që duhen zbatuar këto ligje që janë, por duhen forcuar edhe më shumë, në mënyrë që njerëzit të kenë frikë nga ligji”, tha më tej Duka.

Por si mund ta konsiderojmë dhunën; thjesht një çështje personash, emocionesh individuale, apo pjesë e mendësisë dhe frymës së mosbesimit ndaj garës?

“Nuk ka asnjë lidhje rasti i fotoreporterit me garën. Rregullat e futbollit dhe të çdo lloj gare janë të qarta, vendimet e arbitrit janë të padiskutueshme dhe të respektueshme, kështu që nuk është se do të ndryshosh diçka ti me atë që bën duke u futur në fushë, përveçse destabilizon ose nuk e bën tërheqës ambientin për ata njerëz që vërtet duan të shohin futboll”, deklaroi kreu i FSHF-së.

Çështja e statusit të klubeve duket se është në stanjacion. Shumë klube ende nuk janë privatizuar dhe janë pjesë e Bashkive. Si do të arrijmë në një standard për të gjithë dhe kur do të ndodhë kjo?

“Nëpërmjet implementimit të kësaj pakete ligjore që u diskutua dhe u propozua sot. Nëse këto ndryshime do të bëhen dhe do të ndërtojmë terrenin e një biznesi funksional, që të paktën të mbajë veten e vet dhe të mos ketë nevojë për financime nga askush, as nga bashkitë dhe as nga individët, atëherë nuk do të kemi një standard. Futbolli shqiptar jo vetëm që mund ta mbajë veten, por është edhe fitimprurës, sigurisht nëse mbështetet nga këto që thamë sot. Por që të bëhet fitimprurës duhet ta incentivosh, ta favorizosh dhe ta formalizosh”, tha Duka.

Sipas Dukës, për arsye të vështirësive financiare, klubet detyrohen që të fshehin pagesat faktike që bëjnë për futbollistët apo punonjësit e tyre. “Nëse ne do të heqim tatimin mbi të ardhurat, atëherë do të bëjmë një formalizim, e nëse qeveria do të heqë TVSH-në për investimet në sport, gjithashtu është një gjë që i nxit më shumë të interesuarit për të investuar në sport”, tha ai.

Pas tryezës së sotme, do të vijohet të flitet parimisht, apo do të ketë një afat përfundimtar se kur do të kemi klube me standarde të unifikuara.

“Ne kemi edhe sot klube të privatizuara në aspektin juridik. Por, si çdo biznes, siguria në treg vjen kur bilanci në fund të vitit të paktën nuk është negativ. Realiteti është se shumica e klubeve sot vuajnë për të pasur një bilanc të barabartë. Paketa ligjore për ndryshime do t’i ndihmojë klubet që ky bilanc të jetë të paktën me +1 në vlerën e tij përfundimtare, gjë që ofron perspektiva më të mira”, u shpreh kreu i FSHF-së.

Në fundjavë nuk u zhvillua asnjë aktivitet sportiv sa i përket futbollit. Kur pritet të rinisin ndeshjet?

“Të martën (nesër) zhvillohen ndeshjet e Kupës së Republikës. Sapo përfunduam tryezën e bisedimeve, u tha që ne si FSHF dhe policia jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për ta rifilluar futbollin. Gjuhën e bashkëpunimit besoj se do ta gjejmë pasditen e kësaj të hëne, për të pasur aktivitet nesër”, deklaroi Duka.

Top Channel