Gjiganti kinez i telekomunikacionit, Huawei, ka ngritur padi kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për shkak të urdhrit që ua kufizon agjensive federale përdorimin e produkteve të tij.

Sipas Huawei, SHBA-ja nuk ka arritur të paraqesë prova bindëse në mbështetje të këtij urdhri. Kompania po kështu u përpoq të theksonte se nuk ka lidhje me qeverinë e Kinës.

Guo Ping, Presidenti i Huaëei, deklaroi: “Një ndalim i tillë jo vetëm i paligjshëm, por edhe e pengon Huawei-n nga angazhimi në konkurrencë të ndershme, duke i dëmtuar në fund konsumatorët amerikanë. Kongresi i Shteteve të Bashkuara në mënyrë të përsëritur ka dështuar të paraqesë ndonjë provë në mbështetje të këtij bllokimi të produkteve të Huawei-t”.

Aktpadia u paraqit në një gjykatë federale në Teksas. Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një mori akuzash penale kundër kompanisë, të cilat përfshijnë mashtrimin bankar, pengimin e drejtësisë dhe vjedhje të teknologjisë nga kompania amerikane T-Mobile. SHBA-ja po ashtu ka lobuar tek aleatët që ta shmangin kompaninë kineze, që është një prej ofruesve më të mëdhenj të pajisjeve dhe shërbimeve të telekomunikacionit në botë.

Argumenti i dhënë nga Uashingtoni për këtë bllokim mbështetet tek shqetësimet e lidhura me sigurinë kombëtare, përfshirë drojën se qeveria kineze mund të përdorë teknologjinë për të zgjeruar kapacitetet e spiunazhit.

Top Channel