Komisioni Evropian e ka shpallur të mbyllur krizën e emigracionit, ndërsa i ka drejtuar tani sulmet e tij mbi lajmet e rreme dhe keqinformimin mbi këtë çështje.

Frans Timmermans, zëvendëspresident i Komisionit Evropian, tha: “Evropa nuk po përjeton më krizën e emigracionit që kaloi në 2015, por probleme strukturore mbeten. Në 2018, 116 647 persona sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara UNHCR kanë kaluar Mesdheun, një reduktim në masën 89% krahasuar me 2015”.

Ndërsa trendi nuk është i ri, raporti i progresit i komisionit sugjeronte të mërkurën një qasje më të fortë në drejtim të marrëdhënieve publike me Brukselin që kritikoi mitet dhe të pavërtetat. Gjuha e ashpër pason shkëmbime të tensionuara deklaratash mes Brukselit dhe kryeministrit hungarez, Viktor Orban, që e ka shndërruar emigracionin në një çështje elektorale.

Qeveria hungareze muajin e kaluar lançoi një fushatë bazuar në pretendime jo korrekte mbi emigracionin, ku shfaqej në postera edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe filantropisti hungarezo-amerikan George Soros. Sidoqoftë, komisioni thotë tani qartë se kriza e emigracionit ka përfunduar pavarësisht problemeve në Greqi, që ende nuk janë zgjidhur. Tani, Spanja është kthyer në pikën kryesore hyrëse drejt BE-së dhe po punohet me Marokun për një program kontrolli kufijsh.

Top Channel