Top Story/ Distanca mes varreve duhet të jetë 50 cm, por kjo s’respektohet

06/03/2019 21:13

Në Shqipëri ka disa standarde ligjore që përcaktojnë se si duhet ndërtuar një varr. Sa duhet të jetë kubatura minimale dhe maksimale e tij, distanca, thellësia dhe hapësira mes njëri-tjetrit. Le të përmendim disa prej këtyre kritereve që deri më sot nuk janë zbatuar.

Për këtë do t’i referohemi Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.712. dt 29.10.2014.

Në paragrafin ku flitet për standardet e një varri së pari shohim se distanca e një varri nga tjetri duhet të jetë jo më pak se 50 cm. Ky standard nuk zbatohet sot në asnjë varrezë të qyteteve tona. Varret janë aq ngjitur sa nuk ke ku të vendosësh këmbën. Për të vendosur një tufë lule tek një varr, duhet të shkelësh mbi varret e tjera.

Tani le të hedhim një sy kritereve që duhet të ketë një qivur. Pra ajo pjesë e varrit e cila qëndron mbi tokë.

Vendimi i këshillit të Ministrave përcakton se qivuri duhet të ketë një lartësi maksimale, prej 30 cm nga toka. E ndërtuar me pllaka mermeri, graniti, guri ose materiale të tjera. Çdo qivur dallohet nga një pllakë e vendosur në krye të tij, me dimensione 90 cm lartësi dhe 40 cm gjerësi.

Pra mermeri ose graniti nuk duhet të jetë më i lartë se 30 cm, ndërsa pllaka në krye jo më e lartë se 90 cm nga toka. Pika tjetër më poshtë e këtij vendimi sqaron se këto përmasa nuk janë sugjerime. Ato janë të detyrueshme.

Këtu kemi një konkurrencë mes të vdekurve. Varret janë si ndërtime pa leje, njëra më e lartë se tjetra, diku e rrethuar dhe diku e mbuluar totalisht. Mes tyre shikon buste apo monumente të ngjashme me ato që përdoren për heronjtë kombëtarë. Por njësoj si në banesa, ka edhe varre tepër të thjeshtë, të ndërtuara në lartësinë e lejueshme.

Asnjë standard nuk zbatohet në Shqipëri. Secili që ndërton një varr për familjarët, shpik një model të ri, një formë të re, një lartësi të re. Varrezat tona nuk marrin formë nga standardet, por nga shijet personale, mundësia ekonomike dhe afrimiteti me njeriun e humbur. Kështu, asnjë varr nuk i ngjan varrit tjetër.

Top Channel