Aleksandar Vuçic la të kuptohet se Beogradi mund ta njohë Kosovën si shtet sovran, por një gjë e tillë, sipas tij, do të kërkonte diçka në këmbim. Këto komente, Presidenti serb i bëri në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA.

“Së pari, duhet të gjejmë kompromisin. Nuk mund ta njohim Kosovën pa fituar asgjë. Jam i sigurtë se me ndihmën e miqve evropianë dhe me mbështetjen e Rusisë, Amerikës, Kinës dhe vendeve të tjera, mund të arrijmë një zgjidhje”, deklaroi Vuçiçi.

Prishtina dhe Beogradi janë nën një presion të madh ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje mbi normalizimin e marrëdhënieve, kushti i vendosur atyre për avancimin në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Këto muajt e fundit, Vuçiçi dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kanë përmendur disa herë idenë e ndryshimit të kufijve si mundësi për marrëveshje.

Presidenti kosovar, për këtë qëllim deklaroi së fundi se po mendon edhe ndryshimin e Kushtetutës, por kjo ide e tij nuk ka gjetur mbështetje. Më herët, ai ka treguar se po punon që çështja e ligjit për referendum të dërgohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës për miratim. Sipas Thaçit, referendumi mund të përdoret për t’i pyetur qytetarët kosovarë nëse janë pro korrigjimit të kufirit, që do të bashkonte Luginën e Preshevës me Kosovën.

Top Channel