Ndërsa Presidenti Meta apeloi që palët të bëjnë hapa pas për të vendosur rendin demokratik dhe institucional. Kreu i PD, Luluzim Basha thekson se kjo nuk mund të ndodhë dhe se synohet vetëm ecja përpara deri në largimin e Ramës.
“Nuk kam ndërmend të komentoj asnjë deklaratë të presidentit Meta, por mund t’ju them se në përballjen me krimin e organizuar dhe një qeveri të kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet dhe për të vjedhur paratë e shqiptarëve, nuk ka për të pasur asnjë hap pas. Ka për të patur vetëm hapa përpara se vetëm hapat përpara, largimi një orë e më parë i Edi Ramës dhe një qeveri e palidhur me krimin e organizuar, që mundëson zgjedhje të lira e të ndershme, do t’u japë shqiptarëve atë që meritojnë: një parlament dhe qeveri prodhim i votës dhe vullnetit të tyre dhe jo prodhim i niçeve, i bajrave, i shullazëve me shokë”, është shprehur Basha.
Më tej kreu i PD ka bërë serish thirrje për protestën që do të zhvillohet të martën para Kuvendit.
“Në raport me këtë çështje, asnjë hap pas, por vetëm hapa përpara, duke nisur nesër me bashkimin e qytetarëve në protest para Asamblesë së dalë nga vota e krimit dhe jo nga vota e qytetarëve. Nesër në oren 10.00 i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mi të jemi të gjithë bashkë, sepse kjo është një betejë që na bashkon dhe nuk na ndan, është një betejë që nuk bëhet për pushtet, nuk bëhet për një parti politike. Bëhet për ta çliruar vendin nga zgjedha e krimit”, thotë Basha.
Top Channel