Partia Demokratike ka hedhur akuza mbi drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela, por edhe për kryeministrin Rama. Në një deklaratë për mediet, Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata tha se Prela është në shërbim të plotë të bandës së Avdylajve.

Deklarata e plotë e Çlirim Gjatës, sekretar për Çështjet Ligjore:

Dosja 339 e njohur si dosja që fakton blerjen e zgjedhjeve nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin, është njëkohësisht edhe dosja që fakton se Edi Rama i ka dorëzuar krimit të organizuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Dosja 339 ka zbuluar se kryeprokurorja Donika Prela është në shërbim të plotë të bandës së Avdylajve dhe se është emëruar në atë detyrë prej Edi Ramës për shkatërruar dosjen 339.
Edi Rama ua ka dorëzuar Avdyljave Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sepse, grupit kriminal që bënte trafik ndërkombëtar droge, nuk i është prekur asnjë prej pronave dhe pasurive të blera me paratë e drogës.
Avdylajt kanë pasuri përrallore, por shërbëtorja e bandës në Prokurorinë e krimeve të Rënda ka ndaluar sekuestrimin e pasurive të tyre, në shkelje të plotë të ligjit Antimafia.
Sipas një denoncimi të mbërritur në emailet e mbi 30 gazetarëve të vendit, një nga kokat e trafikut të drogës, që siguronte lidhjet e bandës me trafikun ndërkombëtar të drogës, Hekuran Hoxha, është pothuajse i paprekur.
I njohur me nofkën Roni i Shijakut, truri i bandës, jeton në luks, por luksi që ka burim paratë e drogës, ka mbetur i njëjtë, edhe pas arrestimit të tij. Ligji antimafia detyron Prokurorinë e Krimeve të Rënda të sekuestrojë menjëherë pasurinë e trafikantëve të drogës, në mënyrë që t’u ndërpresë atyre çdo mundësi për financimin e aktivitetit kriminal.
Por, përsa kohë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është shërbëtorja e Edi Ramës dhe e bandës së Avdylajve, Donika Prela, trafikantët e drogës, do të vazhdojnë t’i gëzojnë pasuritë e tyre. Sot ne, faktikisht, nuk kemi një Prokurori të Krimeve të Rënda, por kemi një celulë kriminale.
Më herët, Partia Demokratike ka denoncuar faktin se, në kohën që Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit, është liruar nga burgu kreu i bandës së Avdyljave, Astrit Avdyli, në makinën e të cilit u gjet një armë pa leje janarin e vitit që shkoi.
Shërbimi kriminal që Donika Prela ka kryer për bandën që blinte vota për llogari të Edi Ramës në qarkun e Durrësit gjendet në dosjen 339, si pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve. Këtë fakt nuk mund ta mohojë asnjë prej vartësve të sa, duke u fshehur pas lojrave të fjalëve.
Me Donika Prelën në sistemin e drejtësisë dhe pjesë e SPAK, është konfirmuar se reforma në drejtësi ka vdekur, se kryeprokuror është Edi Rama, se krimi i organizuar është i pandëshkueshëm dhe se Prokuroria e Krimeve të Rënda është në shërbim të bandave kriminale që blejnë dhe ndajnë pushtetin me Edi Ramën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA