Zbulimi i një rezerve të re gazi natyror në Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE) të Qipros është konsideruar si një prej lajmeve më të rëndësishme ekonomike jo vetëm për ishullin, por për të gjithë rajonin e Mesdheut dhe interesave europiane dhe amerikane.

Lajmi është bërë i njohur nga vet gjiganti amerikan “Exxon Mobil”, ekzekutiv i të cilit ka qenë ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, që pas eksplorimit në parcelën detare me numër 10 të ashtuquajtur “Glafkos” ka deklaruar se ka zbuluar një kolonë prej 133 metrash, në një thellësi prej 4.200 metrash nën det, që përmban nga 100 deri në 160 miliardë metra kub gaz natyror.

Korporata amerikane, që do të kryejë edhe punimet, llogarit se rezerva ka një vlerë nga 30 deri në 40 miliardë dollarë dhe cilësohet si e treta më e madhe në botë, e zbuluar gjatë dy viteve të fundit.

Gjetja e saj ka shkaktuar buzëqeshje jo vetëm në Nikosi, por edhe në Athinë, pasi Zona qipriote Ekskluzive Ekonomike lidhet të paktën për dy dekada me interesa të fuqishme ekonomike dhe gjeopolitike të SHBA-ve, nëpërmjet “Exxon Mobil” që po shfrytëzon edhe dy parcela të tjera detare në këtë rajon.

Kjo interpretohet me përkrahje dhe mbështetje më të madhe amerikane të grekëve dhe qipriotëve, ndaj pretendimeve të Turqisë për sa u përket zonave të caktuara detare në Mesdheun Lindor.

Zbulimi dhe shfrytëzimi i këtyre rezervave riformojnë hartën energjetike, që do të jetë tashmë më e favorizuar për Europën, e cila varet nga gazi që vjen nga Turqia dhe Rusia.

Qipro gjithashtu, përveçse aktore e madhe energjetike në rajon, bashkë me Greqinë shndërrohen edhe në nyje strategjike të gazsjellësve që do të furnizojnë kontinentin e vjetër.

Përveç Nikosisë, që po jep një nga një parcelat detare të ZEE-së së saj te kolosë si “Exxon Mobil”, “Total”, etj., edhe Athina po finalizon planet për parcelat e saj detare në Mesdhe dhe në Jon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA