Vjena është qytet që i adhuron ballot dhe çdo dimër në kryeqendrën e Austrisë organizohen plot 400 të tilla, me tematika të ndryshme. Këtë vit, ajo më mbresëlënësja ishte balloja tekno, që kremtoi edhe 10-vjetorin e saj.

“Vjena është një prej qyteteve më të famshme në botë për ballot. Ne na pëlqejnë aq shumë, sa kemi futur në to edhe muzikën elektronike. Kështu shpikëm ballon tekno, e cila mund të quhet praktikisht një ballo tradicionale, por me muzikë ndryshe”, tha Nicolaus Helletzgruber, organizator i ballos tekno.

“Ka një ndryshim të madh me ballon klasike, por ka edhe një gjë të përbashkët, e ajo është qëndrimi, mënyra sesi kërkon ta paraqesësh veten”, tha Daniel Serafin, drejtor artistik i ballos operistike.

“Nuk ka rregulla, nuk ka kufizime përsa i përket veshjes, ka shumë muzikë të mirë tekno, shumë vajza të bukura dhe atmosfera që krijohet, është fantastike”, u shpreh DJ Georg Fechter.

Balloja tekno e Vjenës praktikisht mikson kostumet e karnavaleve me performancat e DJ-ve, dhe frymën e kabaresë. Veshjet aty kanë një gamë të gjerë që shkon nga fustanet e ballove dhe kravatat, tek fantazitë futuriste, ndërsa protagonistë të show-t bëhen të gjithë të ftuarit, të cilët shijojnë një mbrëmje të veçantë pa rregulla, e me kryefjalë absolute argëtimin.

Top Channel