Shitja e punimeve akademike nuk ndodh vetëm nëpërmjet faqeve “online”, siç edhe Top Channel tregoi një ditë më parë, por ato mund të blihen lehtësisht në Kancelaritë pranë fakulteteve.

Detyra e kursit për Fakultetin e Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës, me temë “Garancitë juridike të së drejtës në punë, sipas legjislacionit shqiptar dhe ndërkombëtar”, është punuar nga një student tjetër, “por tani më përket mua”, thotë gazetarja e TCH, Kristi Gongo.

– Më duhet një detyrë kursi.
– Për çfarë lënde e do? S’kam të gatshme për Zotin, vetëm po erdhi ndonjë t’ia mbaj. Ja se po e hap një.
– Ta kontrolloj te kjo USB?
– Po kontrolloje vetë dhe pastaj e sistemojmë.

Mjafton rregullimi i emrave të grupit të punës dhe profesorit që do t’i dorëzosh detyrën, e pa u lodhur ke gati detyrën e kursit.

– Hë e rregullove ti?
– Po m’i jep pak “print”.

Studentët tregojnë se ky fenomen ndodh hapur. Paraqitja e një vepre të një tjetri, sikur të ishte e tyrja pranohet nga pedagogët. Kjo, pasi nuk ka asnjë kontroll dhe rëndësia që u kushtohet detyrave është i papërfillshëm.

– Sa kohë të merr përgatitja e një detyre kursi?
– Varet nga lënda, mesatarisht 5 ditë punë intensive.
– E dini që detyrat tuaja mund t’i shiten dikujt tjetër?
– Po e dimë. Ato janë detyra që i kanë blerë studentët më parë. Nëse t’i e dorëzon, nuk do të marrësh pikët maksimale.
– Por prapë pranohet?
– Besoj se po, por s’është efektive.
– Ka ndodhur që pedagogu të ketë kapur dy punime të njëjta?
– Jo, nuk është se i kushtojnë shumë rëndësi.
– Çfarë masash duhen marrë që të ndalohet kjo gjë?
– Po besoj si në të gjithë botën, duhet një kontroll.

“Unë nuk jam interesuar për të blerë asnjëherë detyra kursi, në lidhje me detyrat e të tjerëve është pronë intelektuale, besoj se s’do i pëlqente askujt”, thotë një studente.

“Përderisa janë punimet e mia, s’mund t’i ketë edhe dikush tjetër, që të vlerësohet me mundin tim”, tha një tjetër.

“Pas gjithë asaj pune që bëj, ta marrë dikush tjetër? Normal që është negative”, tha një student.

Top Channel