Rreth 80 varre janë vandalizuar në një varrezë hebreje në Francën lindore, me “svastika” të vizatuara mbi to.

Rasti është zbuluar të martën, në prag të marshimeve kombëtare të planifikuara kundër një rritjeje të sulmeve antisemite.

“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kuatzenheim, mbrëmjen mes së hënës dhe së martës”, thanë zyrtarët lokalë.

Presidenti Emmanuel Macron ka dënuar abuzimin antisemit, pasi një intelektual i njohur u vu në shënjestër. Policia është vënë në mbrojtje të filozofit Alain Finkielkraut, pasi ai u bombardua me fyerje dhe me sharje antihebreje, nga një grup protestuesish “jelekverdhë” në Paris, në fundjavë.

Macron vizitoi personalisht varrezën për të inspektuar dëmin të martën, para se t’i drejtohej memorialit të holokaustit në Paris.

Ministri i Brendshëm francez ka paralajmëruar se antisemitizmi po përhapet si helm në vend, me një seri incidentesh që kanë pasur në shënjestër hebrenjtë në qendër të Parisit, javën e shkuar.

Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje me 74 për qind të sulmeve antisemite në Francë, gjatë vitit të kaluar. Grupet hebreje kanë paralajmëruar po ashtu se rritja e së djathtës ekstreme në të gjithë Europën ka promovuar antisemitizmin dhe urrejtjen për minoritetet e tjera.

Top Channel