Kur ajo e pa për herë të parë Saburon iu duk sikur ishte të paktën njëzet vjeç. Ai ishte i ri. Këmisha e tij prej pambuku, e tëra e arnuar, ishte e hapur e gjitha para gjoksit. Muskujt e tij ishin mbledhur, ndoshta për të fshehur kyçet e holla të duarve. Krahët e tij ishin shumë të bukur, krahë të tillë që burrat e qytetit i kanë shumë më vonë. Ata ishin nxirë nga dielli dhe prushi i praruar që i mbulonte, dukej sikur i bënte tu vinte turp për pjekurinë e tyre.
Ajo e kishte parë veten me qortim. Kjo shprehje nuk i shkonte aspak për shtat…Në historinë e letërsisë japoneze pas viteve 50-të, personazhi i Ecukos, vejushës që bie në dashuri me një djalosh të ri është ndoshta nga më tragjikët. Teksa ndjek rrugëtimin e fatit të saj, nga një faqe në tjetrën, në librin “Etje dashurie” të Yukio Mishimës, kupton se dashuria s’mund të jetë asnjëherë e thjeshtë. Një roman i fortë mbi ndjesitë njerëzore, dhënë përmes përshkrimeve të jetës së zakonshme të një familjeje japoneze. Gjithë dramaciteti i shkrimit orvatet mbi lëvizjet e Ecukos, që shpalos para lexuesit gjithë botën dramatike të një gruaje në dashuri. Ardhur në shqip nga Nasi Lera, ky roman, ashtu si të gjitha përkthimet e Lerës, ta bën më të lehtë leximin.
Pas vdekjes së bashkëshortit Ecuko shkon të jetojë në shtëpinë e vjehrrit të saj, bashkë me anëtarë të tjerë të familjes. Aty njihet dhe bie në dashuri me shërbëtorin e ri Saburo. Pas kësaj njohjeje ajo nuk është më e qetë. Kërkon vëmendjen e tij. Gjithë ndjesitë e një gruaje në dashuri, vizatohen bashkë me atmosferën që e rrethon, duke e kthyer ndjenjën e saj, në një torturë të vazhdueshme. Në skenë shfaqen të tjerë personazhe, që e ndërlikojnë ekuilibrin e brendshëm të Ecukos. Papritur ajo kupton se shërbëtori i ri dhe shërbëtorja kanë një lidhje dhe vajza është shtatëzanë. Tashmë e torturuar nga indiferenca e tij, e shtrënguar nga ankthi dhe xhelozia ajo bën një lëvizje të fundit, fatale për vëmendjen e tij. Ajo kërkon hakmarrje.
Libri është një triumf i erotizmit dhe vuajtjes seksuale, të cilat arrijnë ta shëndrrojnë një grua. Nuk është hera e parë që letërsia kërkon të flasë përmes gjuhës së erosit, për të prekur tema që ende vazhdojnë të shqetësojnë kohën sot. Mishima duket i pamëshirshëm, teksa lë një grua të gabojë dhe ta çojë drejt krimit. Por në fund, kupton se nuk është i gjithë faji i autorit. Kjo është rruga ku çon shpesh një grua, mungesa e dashurisë.
Me gjithë trishtimin që mbart, ky roman hyn tek ato lexime që mbeten gjatë tek ty. Yukio Mishima është një ndër shkrimtarët më të vlerësuar japonez. “Etje dashurie” është një ndër kryeveprat e tij.
Alda Bardhyli
Top Channel