Një ditë Voci vrau veten. Akush nuk e dinte përse. Madje gjithnjë e më tepër, ai po përmirësohej. Nën trupin e varur, ishte një letër e zhubrosur. Besoj se e kishte mbajtur në dorë kur kishte filluar vetvrasjen dhe gjatë saj duhet t’i ketë rënë. Në të shkruhej: Kam frikë nga ju! Kaq!
Cfarë kishte ndodhur? Përse kishte frikë Voci nga ata? Dhe kush ishin ata “JU”? “Marrja e gjakut” është romani i autorit të ri Andreas Dushi, i cili na vjen në formën e një rrëfimi me ngjarjet mbushur me dritëhijet e veta.
Me një toponimi krejt të veçantë por pozicion gjeografik jo edhe aq të fshehtë, një zonë malore e rrethuar nga të gjitha format e tjera të relievit, jeton bashkë me mbeturinat e bestytnive që kanë marrë ngjyrime fetare dhe rregullave që Kanuni ka përcaktuar në këtë vend. Aty pranë ndodhet edhe ‘Mali me Tym’ ku jetojnë personazhet e romanit “Marrja e Gjakut”, atje dhe nga ku nis ngjarja e fillimit dhe ajo e fundit tw romanit. Një burrë i quajtur Voc, për arsye të pakuptueshme vendos të vetvritet. Sikurse Kanuni, thoshte gjaku i një të vrari duhej marrë te familja e vrasësit, njëkohësisht ai nuk caktonte qartë çfarë duhet të ndodhte kur vrasësi dhe i vrari, ishin i njwjti njeri. Prej këndej formësohet një ngjarje me përmasa të mëdha, rezultati i së cilës është shuarja e plotë e një familjeje. Voci lë pas gjashtë fëmijë dhe një vëlla. Vëllai i tij i ndan fëmijët në “të vrasësit” dhe “të të vrarit”, e kështu, të dytët me në krye xhaxhain e tyre duhet të marrin gjakun tek të parët. Ngjarja zhvendoset në Qytetin buzë kalasë së ndërtuar nga murosja e një gruaje, një gji e së cilës ka mbetur jashtë. Me paragjykimet e tij, dëshirën e njerëzve për t’u dukur dhe një Rapsod gjoja të verbër i cili këndonte gjithçka ndodhte aty dhe në zonën përreth, Qyteti e mirëpret këtë familje me pjestarë krejt të ndryshëm nga njëri -tjetri. Secili prej personazheve personifikon një natyrë të caktuar duke filluar nga më gjaknxehti, deri te njeriu më i qetë, nga i zgjuari deri te budallai dhe nga artisti deri te mediokri. Të lidhur njëri pas tjetrit me ndjenjën e hakmarrjes dhe atë të vetëmbrojtes, në Qytet kalojnë disa vjet pa e ditur se të dyja grupet jetonin farë pranë njëri – tjetrit. Këtë gjë e marrin vesh falë një martese e cila nuk u realizua asnjëherë. Rrëfimi është në vetë të parë, ku personazh kryesor është vetë rrëfimtari i cili nuk shfaqet asnjëherë, por gjithnjë flet nga lart, strukur ndër faqet e historisë dhe të së tashmes. Me këtë roman, fjala e parë e titullit të të cilit është folje dhe epitet, absurdi luftohet me absurd dhe tregohet se si kodet morale të një kohe nuk kanë funksionuar as pwr kohën kur janë shkruar duke i lënë vend imagjinatës së lexuesit për vlerën e tyre në ditët tona.
Romani i autorit të ri Andreas Dushi “Marrja e Gjakut” është përcaktuar nga kritika si një libër me një tekst mjaft nteresant, i cili të bën të zhytesh në mendime duke folur shumë, në pak faqe. Është vlerësuar për nga kultura gjuhësore dhe sinteza e qartë e ndërtimit të fjalive duke e bërë romanin të rrjedhë ndër rreshta lehtësisht duke iu rrekur gjuhës me seriozitet maksimal. Autori i ri Andreas Dushi është vlerësuar nga autorë të njohur shqiptarë si një emër që premton për të qenë pjesë e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Top Channel