“Në kohën e gënjeshtrave universale, të thuash të vërtetën është një akt universal”. Me këtë shprehje të Orëell, piktori Avni Delvina ka çelur ekspozitën e tij ‘Që në hyrje’, duke iu kushtuar tërësisht figurës së Donald Trump.
Nëpërmjet grafikave të manipuluara, ai shfaqet me një humor të lezetshëm, por sigurisht edhe dashamirës ndaj figurës aktuale të presidentit të Shteteve të Bashkuara.
“Kjo ide më lindi që përpara zgjedhjeve në Amerikë. Shtypi i përgjithshëm botëror pati një kundërvënie të organizuar në mënyrë perfekte. E vetvetiu, te mua si artist arriti deri në ndotje muhabeti. Vetvetiu më shpërtheu një mekanizëm, që më drejtoi në këtë drejtim, ku në njëfarë mënyre unë kundërshtoja këtë gjë gati të dhunshme, të përditshme, qoftë edhe në Italinë ku unë banoj”, tha Avni Delvina, piktor.
Në 46 tablo, ne shohim Donald Trumpin në sheshin “Skënderbej”; në një betejë më pas me Obamën apo Sorosin; apo Melaninë në pozicionin e Xhokondës.
“Sigurisht një dozë sarkazme. Mendoj që është një mjet që më përshtatet shumë. Është një mjet që unë e kam edhe në të përditshmen time”, tha më tej Avni Delvina.
Subjekti mbetet gjithmonë po ai: Trump me “Hollyëood”-in kundër; në varkën e Noas; apo vetëm mes të gjithëve.
“Vlerat e presidentit Donald Trump, veprimet e tij, fryma e tij e re që solli. Një oksigjen i përgjithshëm dhe një tronditje, ose një tërmet të vogël, që poltika botërore kishte nevojë, gjithmonë sipas meje”, tha Avni Delvina.
Ekspozita pret publikun deri më 23 shkurt, në Muzeun Historik Kombëtar.
Top Channel