Johanes Hahn pritet të marrë një rol ndërmjetësuesi në përpjekjet për pezullimin e taksës 100% të vendosur mbi produktet serbe.

Pohimin e ka bërë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të premten diskutoi me Komisionerin Europian të Zgjerimit dhe Politikave të Fqinjësisë mbi Tarifën që ka shqetësuar BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Thaçi i vlerësoi ndërkohë si joluajale politikat e Kosovës ndaj SHBA-së.

“Askush nuk është mësuar në 20 vjetët e fundit, që Kosova të mos dëgjojë këshillën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kemi popullatën më pro-amerikane dhe të kemi një qasje të politikave mosdëgjuese dhe jolojale ndaj SHBA-së”, ka deklaruar ai.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë vendimin për mospezullim të kësaj mase të qeverisë së Kosovës si qendrim që bie ndesh me interesat e SHBA-së. Thaci sqaroi se bisedimet lidhur me tarifën dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë edhe ditën e shtunë, në kuadër të takimeve që do të zhvillojë ai në Mynih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në konferencën e sigurisë të mbajtur në këtë qytet.

Top Channel