Bashkimi Europian ka shprehur edhe njëherë shqetësim për mospezullimin e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës nga autoritetet e Kosovës, duke i mëshuar idesë se kjo taksë po ndikon negativisht në procesin e dialogut me Serbinë.

Shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataylia Apostolova, si dhe krerë të tjerë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, ritheksuan se taksa paraqet shkelje të qartë të “Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore” (CEFTA), si dhe është në kundërshtim me frymën e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë të shqyrtojë seriozisht ofertën e Komisionit Europian për të ndihmuar në heqjen e pengesave jotarifore, me të cilat ballafaqohen eksportet e Kosovës në rajon”, thuhet në deklaratën e lëshuar prej tyre.

Por, Ramush Haradinaj e pohoi edhe njëherë përpara Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë takimit me të në Konferencën e Sigurisë në Mynih, se taksa do të qëndrojë derisa Serbia të njohë Pavarësinë e Kosovës.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, ku theksohej mes të tjerash se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet me qëllim që të arrihet integrimi drejt Perëndimit.

Trump, ndërkohë, i ka shkruar letër edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, ku mes të tjerash ka kërkuar njohje të ndërsjellë në kuadër të procesit të dialogut me Kosovën.

Top Channel