Sindikata e Kontrollorëve Ajrorë në Kosovë ka vijuar grevën në ditën e dytë të saj, duke kundërshtuar ligjin për pagat që, sipas saj, cenon dhe dëmton pavarësinë e këtij institucioni.

Ky ligj, sipas saj, ndikon në të ardhurat direkte që shkojnë për kontrollorët ajrorë dhe është në kundërshtim edhe me ligjet e BE-së. Greva ka bërë që të shtyhen ose anulohen me dhjetëra fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Artan Hasani, kryetar i Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikur Ajror, tha se greva vazhdon e madje do të intensifikohet deri në rishikimin e Ligjit për paga. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës përmes një njoftimi tha se ka pritur me shqetësim vazhdimin e grevës. “E drejta e punëtorëve për grevë është e garantuar me ligjin në fuqi, por ajo duhet të zhvillohet brenda kornizave të ligjit për greva”, thuhet në deklaratë.

“Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror, nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha”, shtohet në deklaratë.

Top Channel