Bosi famëkeq i karteleve të drogës, Joaquin El Chapo Guzman është shpallur fajtor për 10 akuza për trafik droge në përfundim të gjyqit tre mujor në Nju Jork, ku pati dëshmi dramatike të arratisjeve nga burgu, vrasjeve mizore dhe ryshfeteve miliona dollarë për politikën.

Guzman, i cili u ngrit nga varfëria në Meksikën rurale dhe ndërtoi një perandori droge me vlerë miliarda dollarë, sipas gjasave do të kalojë pjesën e mbetur të jetës së tij në burg.

61-vjeçari nuk tregoi asnjë emocion ndërsa lexohej vendimi i jurisë. Anëtarët e saj kaluan 6 ditë duke vlerësuar provat kundër Guzman, përfshirë edhe dëshmitë e më shumë se 50 dëshmitarëve.

Gjykatësi i distriktit amerikan Brajan Kogan, e përshëndeti vendimin e jurisë dhe tha se kjo e bënte shumë krenar që ishte një amerikan. Dënimi i Guzman do të mësohet më 25 qershor. Ai pritet sidoqoftë të marrë dënim me burg të përjetshëm, pa të drejtë faljeje.

Gjatë gjykimit u mësua jo pak mbi mënyrën se si funksiononte karteli Sinaloa, që ka marrë emrin e shtetit meksikan ku Guzman ka lindur. Sipas prokurorëve amerikanë, Guzman ka trafikuar shumë ton kokainë, heroinë, marijuanë dhe metamfetaminë në Shtetet e Bashkuara prej më shumë se dy dekadash duke konsoliduar fuqitë e tij në Meksikë përmes vrasjeve dhe luftrave me kartelet rivale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA