Rusia dhe Turqia ranë dakord të hënën se ata duhej të merrnin masa vendimtare për të stabilizuar gjendjen në provincën Idlib të Sirisë pas bisedimeve midis ministrave të mbrojtjes të dy shteteve, njoftoi agjencia e lajmeve RIA e Rusisë.

Njoftimi, i bërë pas bisedimeve midis ministrit rus të mbrojtjes Sergei Shoigu dhe ministrit turk të mbrojtjes Hulusi Akar në Ankara dhe të përvijuara në një deklaratë të përbashkët, nuk ka specifikuar se cilat do të jenë masat vendimtare apo kur ato mund të merren.

Deklarata u lëshua përpara një samiti sirian midis liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit të enjten në Rusi. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, në fillim të këtij viti tha se Moska kishte hedhur poshtë idenë e Rusisë dhe Turqisë në ngritjen e një operacioni të përbashkët për të shtyrë militantët nga Idlibi.

Deklarata e të hënës, siç është raportuar nga RIA, foli për “nevojën në veçanti për të marrë masa vendimtare për të garantuar sigurinë në zonën e çmilitarizuar të Idlibit”.

“Pavarësisht nga provokimet, ne theksuam rëndësinë dhe nevojën për të vazhduar partneritetet mes inteligjencës dhe forcave ushtarake të dy vendeve tona për të vendosur paqen dhe për të mbështetur stabilitetin në Idlib”, tha ajo.

Rusia, një nga aleatët më të vendosur të qeverisë siriane, dhe Turqia, ndërmjetësuan një marrëveshje në shtator për të krijuar një zonë të çmilitarizuar në rajonin perëndimor Idlib, që do të ishte pa armë të rënda dhe luftëtarë xhihadistë.

Top Channel