“Medalja e Mirënjohjes” për ikonën e humorit Skënder Sallaku. Një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e tij

12/02/2019 13:09

Një nga rrugët e kryeqytetit do të mbajë shumë shpejt emrin e ikonës së humorit shqiptar, Skënder Sallaku, i cili u nda nga jeta 5 vite më parë.

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit të njohur, kreu i Bashkisë së Tiranës, ErionVeliaj priti në një takim familjarë të tij, të cilëve u dorëzoi edhe “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin dhe energjinë që ai i dha qytetit që e deshi kaq shumë.

“Doja shumë që t’iu jepja lajmin e mirë se një nga rrugët e Selvisë, aty ku ai është rritur, ku e njohin si të lagjes, do të mbajë emrin e tij. Më vjen mirë që ka qenë pjesë e një procesi ku po mundohemi që emërtimet e rrugëve apo shkollave t’i bëjmë për njerëz që na japin shumë krenari, që na kanë dhënë shumë gëzim në jetën tonë. Mezi pres që pas vendimit të Këshillit Bashkiak të bëjmë përurimin e rrugës së re”, tha Veliaj, teksa vlerësoi figurën e aktorit të njohur, si shembull frymëzimi dhe energjie për qytetin.

“Vërtet Skënderi s’është me ne sot, por për ne që jemi rritur, brezi im, ndoshta i fundit që e mban mend me gjithë atë energji, është frymëzim, se njeriu nuk ka nevojë me qenë i pasur, i pushtetshëm, por duhet dashuri, kënaqësi, edhe për t’i dhënë qytetit një energji kaq të bukur siç i dha ai. Dua t’ua jap këtë medalje në shenjë mirënjohje për gjithë kontributin, po jo vetëm të tij, por të gjithë familjës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i shprehu falenderimet edhe bashkëshortes së aktorit të njohur, Vitore Sallaku, e cila është gjithashtu një nga artistet që i ka falur shumë dashuri Tiranës. “Unë besoj se për të gjithë ata që ju njohin, edhe si çift që i keni dhënë shumë dashuri këtij qyteti, që ke mbështetur Skënderin, por edhe që ke një familje të mrekullueshme. Të falënderoj edhe ty për gjithë kontributin, për faktin që ju si familje, të gjithë atë reputacion dhe frymëzim të Skënderit vazhdoni t’ia transmetoni Tiranës”, tha ai.

Vitore Sallaku i shprehu falenderimet kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësimin. “Ju falenderoj nga zemra, që keni marrë një nismë që nderon jo vetëm ne, si familje, miqtë tanë, edhe të gjithë ata që e njihnin Skënderin, por them se nuk ka njeri që mos ta njohë për atë që ai ka bërë”, deklaroi bashkëshortja e aktorit të njohur.

Skënder Sallaku është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA