Artisti zvicerian Thomas Huzinger ka sjellë për herë të parë artin e tij në Shqipëri, megjithëse prej tre vitesh jeton aktualisht këtu.
Ekspozita “Labor” fokusohet në një seri punimesh eksperimentale në gjini, materiale dhe teknika të ndryshme të cilat shfaqen së bashku. Figurina akademike në bronz, skulptura abstrakte eksperimentale, kompozime grafike dhe një grup vizatimesh po aq eksperimentale synojnë dhe ndajnë bashkë të njëjtën hapësirë.
“Unë krijoj si një lojë ku forma krijohet vetë dhe në fund jam si spektator, jo si artist. Përgatis situata, por pastaj vepra bëhet vetë”, thotë Huzinger.
Mesazhi i artistit është bashkëjetesa e artit klasik me atë bashkëkohor. Ekspozita është e ndarë në tre hapësira. Kuratori Gento Gjikola shpjegon: “Këtu jemi në studion e tij. Nuk është hapësira kryesore, por për artistin është. Këtu tregohet nëpërmjet eksperimentit se ku do të arrijë artisti”.
Grafikat janë ngjizur në dyshemenë e studios së tij si akuarele natyrale me ujë dhe pigment, duke e lënë veprën të dalë vetvetiu në dritë.
“Artisti vetë, i cili inicion këtë eksperiment në grafikë, nëpërmjet ujit, pigmentit, bojës dhe gjithçka tjetër që ai e ka në studion e tij, këtu kthehet në një qëndrim pak më formal dhe shkojmë drejt asaj vepre që ne si shikues e konsiderojmë vepër arti”, shprehet Gjikola.
Ekspozita qëndron për publikun deri më 13 shkurt në Galerinë Fab.
Top Channel