Në çdo kohë ka breza të humbur dhe rini të djegur. Erik Maria Remark e dinte fare mirë këtë. Jo sepse ai ishte profet por sepse përjetoi dy luftëra dhe pa t’i iknin shokët një e nga një ndër betejat e luftrave prej çmendurive të nazizmit.
“Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës, derisa e kuptova se kishte edhe disa të tjerë që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari. Erik Maria Remark është një shkrimtar, vepra e të cilit nuk njeh moshë. Një vepër humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, e që vijoi si një fill lidhës në gjithë krijimtarinë e tij. Remark ka ardhur në Shqipëri disa dekada më parë, prej përkthimeve të të mirënjohurit Robert Shvarc. Z. Petrit Ymeri, Drejtor i Shtëpisë Botuese “Dituria” e risjell atë sërish për lexuesin shqiptar me një kolanë të njohur për brezat e mëparshëm. Ai thekson se rikthimi i veprave si “Asgjë të re nga fronti i perëndimit”, “Harku i Triumfit”, “Tre shokët”, “Një natë në Lisbonë”, “Obelisku i zi” etj., janë kryevepra që duhet herë pas here të sillen në treg për arsyen e thjeshtë se ato janë vepra humaniste, që kanë të bëjnë me njeriun dhe shpirtin e tij. Shumë prej tyre gdhendin psikologji dhe mendësi të cilat ndoshta nuk mund t’i ndryshojë as vetë përvoja njerëzore. Remark ka lënë gjurmë të pashlyeshme në krijmtarinë botërore sepse ka paraqitur njeriun dhe dhembjen e tij në një epokë të errët. Për ne dikur ky autor ishte i ndaluar, vazhdon z. Ymeri, dhe do të duhej një garë e stuhishme mes nesh të atij brezi për ta përfunduar brenda një nate sepse libri do të kalonte fshehurazi dorë më dorë. Ka qenë kohë e bukur mbarsur me emocione të mëdha dhe ne me këto libra jetonim dhe jetën e personazheve të tyre e kishim mit. Vendosa t’ia rikthej lexuesit, thekson Ymeri, sigurisht atij të ri, për këtë arsye. Pikërisht tani që po jetojmë një botë virtuale më shumë na duhet të nxisim ca deje nga shpirti njerëzor e Remark e përmbush fare mirë këtë mision. Do të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta edhe dhjetëvjeçarë dhe Erik Maria Remark do të vazhdojë të lexohet nëpër botë, sepse fatkeqësisht breza të humbur do të ketë në njëfarë mënyre gjithmonë.
Top Channel