Që prej 1 janarit ka hyrë në fuqi ligji për rritjen e TVSH-së për librat. Shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e librave të çfarëdolloji është 6%. Kjo ka krijuar një pasiguri tek botuesit, por sidomos tek librarët, në një treg relativisht të varfër.

Petrit Ymeri, kryetari i Shoqatës së Botuesve, thotë: “Më parë kemi qenë në një sistem 20 në blerje dhe 0 në shitje. Tani është bërë 20 përqind në blerje dhe 6 përqind në shitje. Ishte një kohë shumë e vogël reagimi. Libraritë tona në shumicën e tyre nuk janë në gjendje të paguajnë. Ato marrin furnizime me kredi dhe kur e shesin librin, paguajnë. Mirëpo fatura fiskale, e shoqëruar me TVSH, krijon një lloj komplikimi, një lloj vështirësie”.

Botuesit kanë ngritur edhe shqetësimin e vlerës së lartë të tatimit mbi krijuesin. Aq më tepër që këta të fundit veprimtarinë krijuese e kanë në të shumtën e herës si veprimtari të dytë.

“Duhet të ulim patjetër tatimin mbi honoraret e veprimtarisë krijuese. Është shumë i lartë, 15%. Duhet të bëjmë takime për të arritur të bëjmë një ulje në kufijtë e 5-përqindëshit, 6-përqindëshit të tatimit mbi honorarin, do ishte një ndryshim”, thotë Ymeri.

Ndërsa sa i përket bibliotekave publike, Kryetari i Shoqatës së Botuesve vazhdon të theksojë që ato kanë shumë mungesa. Ai nuk shkon më larg se Kosova për një shembull pozitiv: “Kosova jep fonde të mëdha relativisht për të gjitha bibliotekat publike. Edhe të qyteteve, komunave, shkollave e kështu me radhë. Kur u nis vjet projekti me bibliotekat shkollore, vetëm 10 përqind e fondit u përdor”.

Ende libri vazhdon të mbetet në një terren të vështirë biznesi në Shqipëri në raportin e kostos me të ardhurat e popullsisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA