“Mercedes Benz Arena” në Atlanta do të presë sot në mbrëmje edicionin e 53 të finales së Super Bowl mes New England Patriots dhe Los Angeles Rams, në atë që konsiderohet edhe si beteja e gjeneratave dhe që rishkruan librin e rekordeve të NFL.

Super Bowl i këtij vitit do të jetë sfida e kuotërbekëve Tom Brady dhe Jared Goff. Ylli i Patriots, Brady në moshën 41-vjeçare do të kërkojë titullin e tij të 6 në NFL dhë nëse ia del ai do të bëhetë kuotërbeku më i vjetër që do të triumfojë. Përballë tij do të jetë Jared Goff, 24-vjeçar që është në sezonin e tij të tretë si profesionist, duke luajtur 38 ndeshje si titullar në sezonet e rregullta.

Përplasje brezash do të jetë edhe ajo e trajnerëve Sean McVay dhe Bill Belichik. Trajneri i Rams është vetëm 33 vjeç dhe vendos një rekord të ri në historinë e finaleve të Super Bowl, pasi është trajneri më i ri që arrin në një finale të tillë. Ndërsa Belichik është 66 vjeç dhe ka fituar 5 tituj të NFL si trajner i parë dhe 2 si asistent. Nëse fiton edhe këtë vit do të bëhet trajneri më i vjetër që fiton trofeun e NFL.

LA Rams këtë sezon ka spikatur si një prej ekipeve më të mira në lojën sulmuese, ndërkohë që ka në radhët e saj edhe mbrojtësin më të mirë, Aaron Donald, i cili do të ketë për detyrë të bllokojë pikërisht Tom Brady.

Atlanta pret finalen e Super Bowl për herë të tretë në historinë e saj. Më parë këtu janë zhvilluar edicioni i 28, ku fitues doli Dallas kundrejt Buffalos, si dhe ai i 39 ku ka triumfuar pikërisht Los Angeles Rams pasi mposhti Tenessee.

Ndërkohë për këtë ndeshje janë marrë edhe masat e sigurisë. Autoritetet në Atlanta kanë mundësuar angazhimin e 5000 forcave të rendit për mbarëvajtjen e evenimentit më spektakolar e më të ndjekur të sportit amerikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA