Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini kanë zhvilluar një bisedë telefonike në lidhje me vazhdimin e dialogut dhe tarifat doganore.

Përmes postimeve në rrjetet sociale të dy janë pajtuar se dialogu Kosovë – Serbi duhet të vazhdojë, duke përfillur edhe kërkesën për suspendimin e tarifave doganore që Kosova ka vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

”Bisedova me presidentin Hashim Thaçi. I përsërita që tarifat duhet të suspendohen dhe dialogu të rifillojë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për Kosovën, Serbinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. S’ka më kohë për të humbur”, ka shkruar Mogherini në Twitter.

Ndërkaq presidenti Thaçi ka shkruar në Facebook se dialogu ekzistues për normalizim i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është zgjatur shumë, por, sipas tij, “tani kemi një momentum që nuk duhet humbur për ta përfunduar”.

Presidenti i Kosovës e ka cilësuar të padrejtë qëndrimin e Serbisë për të mos vazhduar dialogun pa suspendimin e tarifës, por ka këshilluar institucionet qendrore në Prishtinë që të dëgjojnë kërkesat e SHBA-së dhe BE-së, raporton REL.

“Pikërisht për t’u ankuar kundër kësaj qasjeje destruktive të Serbisë, sot bisedova përmes telefonit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Me këtë rast shpreha shqetësimin tonë për kushtëzimet e paarsyeshme të Serbisë, të cilat pamundësojnë vazhdimin e dialogut. Por, përkundër mirëkuptimit nga ana e saj, mesazhi ishte i qartë: “Dialogu duhet të vazhdojë dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që pengojnë vazhdimin e tij”, ka shkruar Thaçi.

“Prandaj, pavarësisht se mund të duket e padrejtë, ne duhet të tregohemi sërish pragmatikë dhe t’i respektojmë këshillat e BE-së dhe të SHBA-së. Qëndrimi i BE-së dhe SHBA-së është i qartë dhe nuk lë vend për interpretime të lira”, thuhet ne shkrimin e Thaçit.

“Duhet ta heqim menjëherë pretekstin që po e shfrytëzon Serbia për bllokimin e dialogut. Ky veprim demonstron përkushtimin tonë për marrëveshje paqësore dhe për më tepër, ruan dhe forcon aleancën tonë me BE-në, NATO-n dhe në mënyrë të veçantë me SHBA-në”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Top Channel