Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë asnjë pagesë buxhetore nga e premtja, për shkak të mosmiratimit të projektbuxhetit për vitin 2019.

Për të mundësuar ndarjen nga buxheti, në bazë të procedurave ligjore, gjithnjë nëse buxheti nuk është miratuar, Kuvendi mund të autorizojë me anë të një vendimi vazhdimin e zbatimit të ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, tha se është bërë kërkesa në Kuvend për zgjatjen buxhetore, që të mos ketë ndërprerje të pagesave.

Projektvendimi i Qeverisë se Kosovës për këtë çështje do të shqyrtohet të shtunën në Kuvend, ku pritet të shqyrtohet dhe miratohet edhe projektbuxheti për vitin 2019.

Rafuna tha se kanë pasur të drejtë vetëm deri më 31 janar për ndarje buxhetore, e se tani po pritet që në seancën e së shtunës të miratohet vendimi për lejimin e ndarjeve buxhetore, ose të votohet projektbuxheti 2019.

“Në rast se votohet vendimi të shtunën, atëherë hyn në fuqi ditën e hënë dhe nuk paraqet asnjë pengesë. Ne kemi arritur t’i ekzekutojmë të premten të gjitha pagat për të gjithë shërbyesit që paguhen nga buxheti i shtetit”, tha Rafuna.

Kosova ka hyrë në vitin 2019 pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi. Buxheti i Kosovës, sipas projektimit aktual parashikohet të jetë 2.3 miliardë euro, e si i tillë është miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.

Top Channel