Siguria ushqimore, një çështje me ndjeshmëri të lartë publike, ka qenë tema e parë për të cilën është diskutuar këtë të martë në emisionin Top Talk të gazetarit Denis Dyrnjaja, i ftuar i të cilit ka qenë Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, si dhe ish-ministër i Bujqësisë.
Në Doganën e Durrësit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi këtë të martë rreth 42 tonë banane të papërshtatshme për konsum. Lind pyetja, sa të sigurtë janë shqiptarët për ushqimet që konsumojnë?
“Të thuash që ka siguri për ushqimet që konsumojnë, do të gënjeje, sepse ka shumë problematika jo vetëm këtu te ne, por edhe në vendet më të zhvilluara. Por, te ne problematikat janë shumë më të mëdha, sepse siç e dini nuk kemi laboratorë të certifikuar për të parë mbetjet e preparateve që përdoren në ushqimet bimore. Megjithatë, produktet më të rrezikshme janë ato me origjinë shtazore, për të cilat ne nuk kemi thertore të certifikuara me standardet e BE-së. Mund të kemi ndoshta një apo dy, por ju shihni ende tregti nëpër rrugë”, tha Agron Duka.
Duka tha më tej se AKU-ja është një organizëm i formuar kohët e fundit, me një jetëgjatësi 12/13-vjeçare, që në kohën kur ka qenë në pushtet Partia Demokratike dhe drejtor i parë i saj ka qenë Genc Juka, me një eksperiencë shumë të mirë nga fusha përkatëse. “Veç detyrave të tjera pati edhe përafrimin e legjislacionit me BE-në pikërisht për këtë subjekt”, deklaroi Duka.
Harxhohen miliona euro dhe ende nuk kemi një laborator që të mund të kontrollojë sigurinë ushqimore. A është kjo në rangun e një skandali?
“Pavarësisht se më duhet të bëj rolin e opozitarit, do të thoja të vërtetën se situata përmirësohet për mirë, por ka ende shumë për të bërë, sepse është një nga fushat më të ndjeshme, e besoj se do të jetë edhe për integrimin në BE. Nuk mund të futesh në BE nëse ke problematika me ushqimin. Të gjitha vendet anëtare të unionit janë shumë konservatore në lidhje me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Çështja është nëse e sheh si prioritare qeveria këtë problem apo jo. Nuk besoj se e sheh si të tillë dhe problematika ka shumë”, u shpreh Duka.
Por si mund të rriten masat e sigurisë?
“Së pari, qeveria duhet ta shohë patjetër si prioritare. Neve na kanë asistuar gjithmonë të huajt dhe nuk është çudi që ministri Çuçi ka njoftuar ardhjen e 4 ekspertëve irlandezë, që do të qëndrojnë për një kohë të gjatë dhe për të inspektuar tregun, madje edhe formimi i vet AKU-së ka qenë nismë e Bankës Botërore. Problemi qëndron te ne. Duhet të harxhohen disa parà për ndërtimin e laboratorëve të certifikuar dhe më kryesorja, nuk duhet ta shohim AKU-në si strehë të njerëzve që nuk marrin vesh nga ky profesion. Shpeshherë me ndryshimin e qeverive, të majta apo të djathta, AKU-ja është parë si një vend për plotësimin e orekseve të militantëve partiakë”, tha Agron Duka.
Dhe…në çfarë niveli jemi me përgjegjshmërinë e atyre që merren me këtë biznes, që sjellin këto lloj produktesh në Shqipëri?
“Kërkesë llogarie ka dhe nuk është aq e lehtë, por përsëri ka vend për t’u përmirësuar. Një nga problemet është që vazhdojnë të shiten në vendin tonë mallra që vijnë pa certifikatë origjine dhe pa certifikatë cilësie, si në rastet e ‘cash and carry’. Kjo, jo vetëm që sjell një konkurrencë të pandershme, por edhe rrezikon konsumatorin në aspektin shëndetësor”, tha Duka.
Top Channel