Kopertinat e reja në Vitrinën e librit janë : Sizifi dhe Edith Piafi nga Robert Goro dhe Krimi i Sarajevës nga Edith Durham.
Sizifi dhe Edith Piafi
Robert Goro
Është muaji korrik 1990. Tirana gumëzhin: Mijëra shqiptarë janë futur në ambasadat e huaja me dëshirën që të largohen nga vendi. Panush Sima arratiset nga spitali psikiatrik ku e kanë shtruar. Vetëm sa të vendos një trëndafil mbi varrin e Edith Piafit në Pere Lachaise, përsërit i përfshirë nga një agoni e tmerrshme, duke rendur për në ambasadën franceze. Edith Piafi, këngëtarja e pavdekshme ështe femra të cilës Panushi i kushtoi gjithë jetën e vet. Një dashuri e lindur në mesin e viteve 1930, në Afrikën e Veriut, një marrëdhënie që u godit pa mëshirë nga Lufta e Dytë Botërore dhe pastaj instalimi i diktaturës komuniste në Shqipëri. Në gjithë këtë trysni e izolim të llahtarshëm, Panushi nuk rresht së ushqyeri ëndrrën për Edith Piafin. Për të shpëtuar, Panushi krijon një mikrobotë të vetën dhe nuk del kurrë prej saj; as edhe kur i afrohet portës së ambasadës franceze duke kënduar këngën e Edith Piafit ”Non je ne regrette rien” – “Jo, nuk pendohem”…
Krimi i Sarajevës
Edith Durham
Në këtë libër studiuesja angleze që ka qëndruar në Shqipëri dhe Ballkan për shumë vite me radhë, analizon rrethanat e vrasjes së Princit austriak Ferdinand dhe bashkëshortes së tij. Ky krim i ndodhur në Sarajevë solli përplasje rajonale dhe kontinentale, duke u bërë shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Pak fjalë për autoren
Edith Durham ishte më me e madhja e tetë fëmijëve. Ajo pati një rini tepër të lodhshme; kur i ati i vdiq, Edithit iu desh të kujdesej për gjithë familjen, ndërsa merrej me vetëarsimim dhe zhvillonte talentin si piktore. Kur ishte 25 vjeç, punimet e saj u bënë pjesë e muzeut të Historisë Natyrore në Kembrixh. Më 1913, shëndeti i saj u dobësua dhe mjeku i rekomandoi pushim, larg halleve ditore. Ajo u nis nga Londra në Trieste, Kotor, brigjet e Dalmacisë, dhe pastaj me rrugë tokësore në Mal të Zi. Ky ishte kontakti i parë me Ballkanin, që do të mbushte pjesën në vazhdim të jetës së saj. U përqëndrua veçanërisht në Shqipëri, atëherë një nga zonat më të panjohura dhe më të pazhvilluara të Evropës. Durham punoi për shumë organizata ndihmash, skicoi, pikturoi e shkroi, duke mbledhur artin dhe folklorin shqiptar. Ajo shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, nga të cilët “High Albania” (1909 ) është më i njohuri, dhe që ende vazhdon të konsiderohet nga të huajt si libër-udhëzues për të njohur dhe kuptuar zakonet e malësisë së veriut. Ajo ishte përkrahëse e idesë së bashkimit të popullit shqiptar. Asdreni i përkushtoi asaj një vëllim poetik, ndërsa, kur Durham vdiq më 1944, mbreti Zog në mërgim u shpreh: “Ajo na dha zemrën e saj dhe u bë zë në veshin e malësorëve tanë”. Në vitet sundimit komunist (veçanërisht gjatë marrëdhënieve shumë të ngushta shqiptaro-jugosllave), emri i M. Edith Durhamit u la në heshtje, u përbuz, u ndalua. Në vitin 2004, presidenti Alfred Moisiu e cilësoi Edith Durhamin si një prej personaliteteve më të shquara të botës shqiptare gjatë shekullit XX.
Top Channel