Me dhjetëra serbë kanë marrë pjesë në festivalin e pazakontë të vrapimit në të ftohtë, i cili e kërkon që të dalin vetëm me të mbathura. Këtë herë Beogradi ishte mbuluar nga dëbora, e megjithatë, pjesëmarrësit në garë i kanë sfiduar ngricat në një mënyrë që jo kushdo arrin ta bëjë.

Garuesit, e shtyrë nga dëshira për të bërë diçka jashtë të zakonshmes, të këndshme dhe të shpenguar, flasin për një eksperiencë mbresëlënëse.

“Ne thjesht duam të tërheqim vëmendjen e njerëzve, duke i ndërgjegjësuar për rëndësinë e aktivitetit fizik, e sidomos në kushtet e dimrit kur është ftohtë dhe shumica përtojnë të dalin nga shtëpitë e tyre të ngrohta. Ne duam t’ju kujtojmë se duhet të vazhdojnë të mbeten aktivë dhe të stërviten, nëse duan të ndihen mirë”, shprehet një pjesëmarrës.

“E pashë festivalin në Facebook dhe mu duk një sfidë e re fantastike, ndaj mendova ta provoj e madje i ftova dhe miqtë e mi të marrin pjesë. Jo të gjithë erdhën dhe kuptohet përse, por atmosfera këtu është shumë e gëzuar, të gjithë mendonin pozitivisht se mund t’ia dalin me sukses. Adrenalina të ndihmon përgjatë gjithë vrapimit, ndaj unë për vete do t’ua rekomandoja këtë të gjithëve”, shprehet një garuese femër.

Festivali i sivjetshëm i pa pjesëmarrësit të vraponin për 1600 metra në temperatura nën zero. Ideja e merr frymëzimin nga metodat ruse të forcimit të sistemit imunitar të trupit përmes ekspozimit në të ftohtë, si dhe nga teknikat e krioterapisë, të përdorura nga sportistët pas seancave stërvitore intensive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA