Një ortek bore në Brezovicë i ka marrë jetën Arian Dacit, djalit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe kreut aktual të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, sipas së cilës kanë qenë dy, personat e përfshirë nga orteku, por ndërsa Arian Daci, zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës, ka humbur jetën; personi tjetër, Ardian Bakalli, është në gjendje të mirë, jashtë rrezikut.

Orteku ka rënë rreth orës 15:00. “Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mbikëqyrësit të qendrës së skive në Brezovicë, është arritur të shpëtohet vetëm njëri nga të përfshirët në incident”, tha për mediet kosovare drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Ilir Morina.

Sipas Morinës, dy skiatorët Daci dhe Bakalli kanë dalë jashtë pistave, gjë që dyshohet se mund të ketë shkaktuar ortekun.

Menjëherë pas publikimit të lajmit për vdekjen e Arian Dacit kanë mbërritur edhe ngushëllime nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe drejtues të partive politike, mes të cilëve edhe kryeministri Haradinaj.

Federata kosovare e Skiatorëve u ka bërë ndërkohë apel të gjithë qytetarëve, që të kenë kujdes të shtuar pas reshjeve të fundit të borës. Brezovica është një nga destinacionet më të preferuara të shumë vizitorëve nga Kosova, por edhe nga Shqipëria e më tej në këto ditë dimri, për shkak të pistave të saj të skiimit dhe borës që nuk mungon.

Top Channel