Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndodhen në Davos ku po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

Nuk ka asnjë takim të paralajmëruar ndërmjet tyre, por të dy lideret e kanë vënë theksin tek bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet evropiane. Vuçiç pohoi mbrëmjen e një dite më parë se i ka premtuar kancelares gjermane, Angela Merkel, që Beogradi do të bëjë ç’të jetë e mundur për gjetjen e një kompromisi me udhëheqësit e Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

Nuk mund të premtoj se vërtetë do t’ia arrijmë, është shprehur ai, por ne padyshim do të bëjmë të gjitha përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes.

Gjermania ishte zëri më i fuqishëm kundër idesë së hedhur nga Vuçiçi dhe Thaçi për ndryshimin e kufijve si rrugë drejt arritjes së një marrëveshjeje normalizimi mes të dyja vendeve. Idetë e tilla nxitën kundërshtime edhe në Kosovë, përfshirë edhe qeverinë e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, vendimi i së cilës për t’u vënë tarifa prej 100% mallrave nga Serbia, bllokoi edhe procesin e bisedimeve me Serbinë, vazhdimin e të cilave Beogradi e kushtëzon me heqjen e kësaj takse.

Top Channel