Rexhep Tajip Erdogan është në Moskë për një takim me presidentin rus Vladimir Putin, të fokusuar tek situata komplekse e Sirisë, ndërkohë që konflikti 8 vjeçar ka nisur të zbutet e aktorë të ndryshëm, përfshirë grupet e armatosura në terren, po kërkojnë kontroll territoresh.

Tre janë çështjet ku do të përqendrohet presidenti turk: Krijimi i një zone sigurie në veri të Sirisë, në lindje të lumit Eufrat, një operacion i mundshëm i trupave turke në Manbidxh dhe rritja e ndikimit të islamistëve të afërt me Al-Kaedën në Idlib.

Që të treja e kane një të përbashkët: njësitë kurde YPG, të cilat Ankaraja i konsideron zgjatim të grupit militant kurd PKK, kryesuesi i listës së saj të organizatave terroriste.

YPG-të janë grupimet paraushtarake të mbështetura nga Washington në luftën kundër shtetit islamik, përkrahje kjo të cilën Ankaraja nuk e pa kurrë me sy të mirë.

Turqia kërkon krijimin e një zone të sigurte prej 32 kilometrash në kufirin e saj me rajonin sirian ku zhvillohen luftime, me qëllimin që aty të kthehen refugjatët sirianë të ndodhur aktualisht në territorin turk.

Ankaraja kërkon ta kontrollojë vetë këtë zonë, por mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i Moskës duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë sipas të cilit regjimi i Asadit duhet të fitojë kontrollin në të gjithë rajonet e Sirisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA