Një prej çështjeve më të diskutuara në javën që lamë pas ka qenë vetëdorëzimi i Klement Balilit pas negociatave me Policinë e Shtetit. E kjo ka qenë edhe një prej pikave të diskutuara në studion e “Top Talk”, ku i ftuar ka qenë deputeti i PS, Pjerin Ndreu, i cili ka një karrierë të gjatë si drejtues në Policinë e Shtetit.
Sipas tij negociimi është gjeja e parë që bëhet për të vënë në pranga një person të kërkuar.
“Negociimi është gjeja e parë që bëhet për një të kërkuar. Negociohet me familjarët. Nëse negocimi funksion është gjeja më e mirë. Nën presionin kontrollit të policisë, por edhe të medias ai ka ardhur në kushtet për t’u dorëzuar”, thotë Ndreu.
Për Pjerin Ndreu nuk ka rëndësi, se si erdhi arrestimi me operacion, apo me negociata, por e rëndësishme është se Balili është pas hekurave dhe nuk ka përfituar asnjë lehtësim në procesin që po ndiqet ndaj tij.
“Kushte mund të vendosen, por e rëndësishme është se ai është në pranga dhe nuk ka përfituar lehtësim në çështje, provat nuk janë prekur”, shpjegon Pjerin Ndreu.
Top Channel